Ndërlidhjet

logo-print

Fusnota nuk i tejkalon problemet


Mbishkrim në Prishtinë...

Mbishkrim në Prishtinë...


Marrëveshja e fundit për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale, si kompromis i arritur në dialogun me Serbinë, nuk i ka zgjidhur përfundimisht dilemat në lidhje me këtë përfaqësim, vlerësojnë deputetë dhe njohës të integrimeve evropiane.

Sipas tyre, për Kosovën një problem i madh mbetet mosnjohja e saj nga pesë vende anëtare të BE-së, ndërkohë që në nismat rajonale ringjallet roli i UNMIK-ut, i cili sado që në aspektet e brendshme në Kosovë është një faktor i pavërejtshëm, tani fiton vendin e vet përmes fusnotës që në përmbajtje e ka edhe Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri thotë se mospranimi i Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së do të reflektoj në çdo aspekt të përfaqësimit të Kosovës jashtë.

Problemi kryesor mbetet te mospranimi i Kosovës nga pesë vendet anëtare, përkatësisht te mosarritja e konsensusit për përfaqësimin e jashtëm që nënkupton edhe vështirësitë edhe pas kësaj marrëveshjeje tashmë të shitur në Kosovë. Ne kemi konfirmime të mëtutjeshme se kjo paraqet vështirësi serioze sa u përket shteteve anëtare që nuk e kanë pranuar Kosovën”, thotë Haziri.

Deputeti Haziri rikujton që Komisioni Evropian të gjitha zotimet që i ofroi Kosovës pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë ia kishte premtuar Prishtinës edhe më herët. Kurse tani, ai thotë se ka edhe një element shtesë i cili ka të bëj me faktin që UNMIK-u kthehet si faktor, dhe këtë ia siguron Rezoluta 12 44.

Mbetet të shihet se si do të rregullohet edhe çështja e nënshkrimit të marrëveshjeve kontraktuale, përkatësisht nëse Kosova do të jetë nënshkruese e vetme apo do të kërkohet edhe prania dhe firma e UNMIK-ut.

Për shtetet anëtare që e kanë pranuar Kosovën nuk ka dilemë që mbetet edhe më tutje përfaqësuesi i Kosovës, por problemi është te shtete anëtare që nuk e njohin Kosovën. Me vet faktin që nga tavolina është larguar edhe simboli i Kosovës dhe është vendosur përfaqësimi përmes Rezolutës 12 44, e cila e njeh në mënyrë indirekte autoritetin e UNMIK-ut, si aktor i rikthyer në tavolinën e përfaqësimit të Kosovës që fatkeqësisht nuk është dashtë të ndodhë”, thotë Haziri.

Mirëpo UNMIK-u, mision ky i cili deri në shpalljen e pavarësisë kishte rolin e administrimit të Kosovës nga Kombet e Bashkuara, nuk sheh ndonjë interes të përfaqësimit të dyfishtë në nismat rajonale.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Oliver Salgado në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë tha se ende po shqyrtohen modalitetet e zbatimit të marrëveshjes së arritur, për faktin se marrëveshja është arritur vetëm para pak ditës.

Për ne është me rëndësi që ta shohim Kosovën të përfaqësohet në nismat rajonale dhe ne nuk kemi interesa që të marrim pjesë kur ka alternativa të përfaqësimit të Kosovës për çka pajtohen të gjitha palët”, ka thënë Salgado. Megjithatë ai thotë se marrëveshja e arritur nuk e përjashton UNMIK-un nga pjesëmarrja në cilindo forum rajonal.

Ndërkohë, analisti Shenoll Muharremi mendon se marrëveshja e arritur megjithatë i ka edhe anët e veta pozitive.

Ai vlerëson se me këtë marrëveshje, Serbia është pajtuar që të mos e pengojë më Kosovën që të përfaqësohet në nismat rajonale të sponsorizuara nga BE-ja, siç ka vepruar deri më tani.

Pikë së pari është thënë që Kosova nuk do të pengohet më që të flasë për veten e vet dhe të flasë nëpër forume rajonale që kryesisht janë të sponsoruara nga BE-ja. Çështja e dytë është që kryeministri është shprehur publikisht se do të ketë lehtësime për anëtarësimin e Kosovës në disa organizata të rëndësishme, qofshin evropiane apo ndërkombëtare dhe çështja e tretë, ajo e hapjes së perspektivës për Stabilizim-Asociim”, thotë Muharremi.

Numri i forumeve rajonale është mjaft i madh, kurse Kosova deri më tani ka marrë pjesë vetëm në disa prej tyre, nënvizon Muharremi.

Ai thotë se përfaqësimi në këto nisma, i ka edhe përfitimet e veta për shtetet veç e veç.

Ndryshe, sipas marrëveshjes, UNMIK-u do të ftohet në takimet e të gjitha organizatave ku është nënshkruar më herët në emër të Kosovës, ndërkaq varet më pas nga administrata e OKB-së nëse do të jetë pjesëmarrëse apo jo.

Në marrëveshjen e publikuar nga mediat, potencohet se ajo nuk ia garanton Kosovës të drejtën për të përdorur flamurin dhe simbolet e veta shtetërore në këto organizata, dhe në vend të tyre do të vendosen simbolet e BE-së.

Denominimi është paralajmëruar se do të përdoret edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, ku po ashtu nuk do të përdoren simbolet shtetërore, për shkak të mos njohjes së saj nga pesë vendet anëtare.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG