Ndërlidhjet

Bugajski: Pjesëmarrja pozitive, fusnota negative


Janush Bugajski

Janush Bugajski

"Marrëveshja do ta sjellë qeverinë e Kosovës në forumet ndërkombëtare me Serbinë. Por, anë negative mendoj se është kjo fusnota, e cila është potencialisht dëmtuese", thotë Janush Bugajski, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, me seli në Uashington, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.



RADIO EVROPA E LIRË
Çështje aktuale është marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përfaqësimin e Kosovës me fusnotë në takimet rajonale dhe ndërkombëtare. Opozita në Kosovë është shumë kritike për këtë marrëveshje, e cila, nga ana tjetër, është mirëpritur nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Sipas jush, a është kjo marrëveshje diçka që do ta dëmtojë Republikën e Kosovës?

JANUSH BUGAJSKI
Besoj se marrëveshja mund të shikohet në dy mënyra: pozitivisht dhe negativisht. Pozitivisht – se ajo do t'i mundësojë qeverisë së Kosovës për të marrë pjesë në forumet ndërkombëtare me Serbinë. Kjo është shumë e rëndësishme për Kosovën, pasi është pjesë e nismave rajonale dhe organizatave ndërkombëtare.

Megjithatë, anë negative mendoj se është kjo fusnotë, e cila është potencialisht dëmtuese, pasi nëse e shikoni terminologjinë, ajo aktualisht e vë në pyetje statusin e Kosovës, meqë thotë se statusi final nuk është i paragjykuar, që mund të nënkuptohet se është i pazgjidhur.

Unë mund ta paramendoj një situatë ku Serbia do të vazhdojë ta sfidojë Kosovën, duke e theksuar këtë marrëveshje, duke theksuar se më nuk quhet Republikë në këto forume ndërkombëtare dhe duke deklaruar se përfundimisht kërkohet zgjidhje. Pra, shoh probleme të ardhshme si pasojë e kësaj marrëveshjeje dhe nuk jam i befasuar me kundërshtimet në Prishtinë ndaj fusnotës dhe heqjes së termit Republikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, aty po ashtu gjendet edhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës...

JANUSH BUGAJSKI
Po, por nuk thotë se kjo marrëveshje e njeh pavarësinë e Kosovës. Ajo thotë se nuk e paragjykon statusin e Kosovës dhe nëse ju nuk e paragjykoni statusin, kjo nënkupton se është status i pazgjidhur, megjithqë me të vërtetë statusi është i zgjidhur, pasi pavarësia është deklaruar dhe ajo është njohur nga afërsisht 90 shtete.

Marrëveshja e vë në pyetje përsëri legalitetin e pavarësisë së Kosovës, duke thënë se paragjykon. Me fjalë të tjera, nëse diçka nuk paragjykohet, logjikisht do të nënkuptohet se nuk është zgjidhur. Ky është pozicioni i qeverisë së Serbisë prej fillimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në përgjithësi opozita në Kosovë është shumë kritike për gjithë procesin e dialogut me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, duke thënë se këto biseda po e ndihmojnë Beogradin, për të arritur statusin e kandidatit në Bashkimit Evropian. Qeveria i mbron bisedimet duke thënë se do ta ndihmojnë rrugën e Kosovës në integrimin evropian dhe lëvizjen e lirë. Si e vlerësoni ju këtë dialog?

JANUSH BUGAJSKI
Mendoj se dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë është i rëndësishëm dhe çdoherë duhet të ketë dialog. Por, dialogu duhet të ketë rezultate të caktuara, nga të cilat përfitojnë të dy palët. Pasi Serbia qartazi po përfiton nga dialogu, meqë duket se tash do ta ketë statusin e kandidatit për BE, shtrohet pyetja se çka po fiton Kosova?

Në rregull, ka fituar përfaqësim potencial në organizata ndërkombëtare dhe forume, por ende nuk ka një plan drejt kandidaturës për në BE, drejt një statusi në BE. Shpresojmë se kjo do të zgjidhet më vonë këtë vit. Me fjalë të tjera, që Kosova të lëvizë nga të, qenit subjekt i BE-së, nën misionin EULEKS, te kandidatura ose aspiranti potencial për anëtarësi në BE.

Nuk mendoj se kjo do të arrihet në bisedimet me Serbinë, por sigurisht që duhet të ketë biseda me Bashkimin Evropian, për të ardhmen e vendit. Në të kundërtën, ju do të mbeteni në këtë situatë të paqartë, ndërsa Serbia lëvizë përpara.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbët në pjesën veriore të Kosovës ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e Kosovës. Poashtu, kishte edhe referendum për këtë çështje. Qeveria e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar thonë se atje operojnë struktura paralele të Serbisë dhe se kjo duhet të ndalet. Çka mendoni, a ekziston ndonjë mundësi për integrimin e këtij komuniteti brenda institucioneve të Kosovës, ashtu siç ka ndodhur me serbët, që jetojnë në pjesët e tjera të Kosovës?

JANUSH BUGAJSKI
Besoj se statusi i veriut të Kosovës mund të zgjidhet dhe duhet të zgjidhet gjatë bisedave me Serbinë, me presion më të fuqishëm të BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara. Nëse ka pasur presion ndaj Kosovës për të bërë kompromis për emër në përfaqësimin në strukturat rajonale, atëherë duhet të ketë presion ndaj Serbisë për t’i tërhequr të gjitha strukturat paralele nga Kosova dhe ta pranojë integritetin e plotë politik dhe administrativ të Kosovës si një shtet. Mendoj se tash duhet të ketë presion të njejtë ndaj serbëve, siç pamë presion ndaj kosovarëve gjatë disa javëve të kaluara.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e përmendët një status për pjesën veriore.Çka do të thotë kjo, sipas jush?

JANUSH BUGAJSKI
Beogradi dhe serbët lokalë, për momentin, kanë arritur në një konkluzion se çfarëdo bisede për ndarje do të krijonte probleme të mëdha për kandidaturën në BE. Si rezultat i kësaj, ata tash po flasin për autonomi, status special, po e shtrojnë modelin e sistemit dy-entitetësh në Bosnjë... me fjalë të tjera, po shikojnë për çfarëdo lloj formule, sipas së cilës komunat veriore nuk do të ishin pjesë e autoritetit të qeverisë në Prishtinë.

Çfarëdo vendimi i tillë, mendoj se do të jetë i keq, pasi do të krijojë një konflikt të ri ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit dhe do ta lejonte Serbinë të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj Prishtinës. Për këtë arsye, mendoj se këto katër komuna duhet të integrohen plotësisht në shtetin e Kosovës. Kjo duhet dhe do të jetë temë e bisedimeve gjatë muajve të ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
A është kjo e mundshme me planin Ahtisari?

JANUSH BUGAJSKI
Plani Ahitsari nuk është i implementuar plotësisht, pasi, siç themi ne, për tango nevojiten dy vetë. Të drejta të zgjeruara minoritare dhe decentralizim të zgjeruar janë të përfshira në planin Ahtisari, por ato nuk janë pranuar dhe autoritzuar nga autoritetet e vetëshpallura në veri të Kosovës.

Derisa plani Ahtisari të mos zbatohet në gjithë Kosovën, në mënyrë Kushtetuese dhe në bazë të ligjeve të tjera, atëherë Kosova ende nuk do të operoj plotësisht sipas marrëveshjes së planit. Plani duhet të implementohet në gjithë vendin, jo vetëm në një pjesë të tij.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bugajski, ka pasur raporte se Shtetet e Bashkuara do t’i tërheqin disa ushtarë nga Evropa. Kjo është pranuar me shqetësim në Kosovë. Si e shihni ju praninë e ardhshme ushtarake dhe politike të Shteteve të Bashkuara në Kosovë?

JANUSH BUGAJSKI
Tash për tash, mendoj se Uashingtoni ka deklaruar se prania e trupave amerikane në Kosovë do të vazhdoëj. Do të ketë tërheqje të trupave amerikane nga Evropa Perëndimore, e veçanërisht nga Gjermania dhe Italia.

Llogaritet se kjo nuk do të krijojë vakuum të sigurisë dhe se Shtetet e Bashkuara, në çfarëdo rasti, mund të kthehen nëse është nevoja. Nuk është i nevojshëm numër i madh i trupave në Kosovë. Ajo që duhet është prania e trupave amerikane me potencial për përgjigjje të shpejtë, hyrje të shpejtë në rast të ndonjë problemi të madh, ndonjë konflikti të brendshëm.

Por, ndonjë lloj i këtillë i konfliktit në Kosovë ndoshta nuk do të zgjidhet lehtë nga ushtarët e NATO-s ose trupat e SHBA-ve. Mendoj se ajo që duhet është një forcë shumë më e fuqishme në Kosovë, për të parandaluar trazira, për t’u angazhuar në kontrollin e masës, parandalimin e ndonjë sulmi kundër civilëve. Pra, një forcë e këtillë nevojitet.

Mendoj se forca e brendshme e Kosovës duhet të përmirësohet, të rritet dhe të bëhet më efektive. Kuptohet se trupat e Shteteve të Bashkuara do të jenë të pranishme, por nuk është e nevojshme që ato të jenë të pranishme në formë masive.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç u theksua, deri tash Kosovën e kanë njohur 88 shtete. A është ky numër i vogël ose i mjaftueshëm, katër vite pas Deklaratës së Pavarësisë?

JANUSH BUGAJSKI
Besoj se numri duhet të ishte më i lartë. Nuk mendoj se, veçanërisht në fazat e para, është bërë mjaft nga Uashingtoni ose Brukseli, për të mbledhur njohje jashtë Evropës, veçanërisht në botën arabe dhe më gjërësisht në atë myslimane.

Nuk mendoj se vetë qeveria në Prishtinë ka bërë mjaft në vitin e parë, që të arrijë njohje. Por, kuptohet se politika e Serbisë, e veçanërisht gjatë katër viteve të pavarësië, është që të parandalohen vendet nga njohja e Kosovës.

Numri 88, pas katër vitesh, supozoj se është një arritje, por do të pritja që ky numër të jetë së paku 100, deri tash. Mendoj se angazhimi për njohje duhet të shtohet tash me pjesëmarrjen në grupimet rajonale. Prishtina duhet të bëjë presion për këtë çështje, që t’i bindë kryeqytetet e tjera, se tash është më tepër e njohur gjërësisht në Evropë dhe në rajon, se që ishte më parë.
  • 16x9 Image

    Fatmir Bujupi

    Fatmir Bujupi, karrierën e gazetarit e filloi në moshën 23 vjeçare në Radio Prishtinë, në vitin 1976, ku punoi për më tepër se 10 vite.  Ka të kryer Fakultetin Teknik – Dega e Makinerisë në Prishtinë. Prej muajit prill të vitit 2000 punon në programin për Kosovën në Radion Evropa e Lirë në Pragë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG