Ndërlidhjet

Engel: E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë – në BE dhe NATO


Kongresisti Eliot Engel
Kongresisti Eliot Engel
Anëtari Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Eliot Engel, thotë se e ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë është në integrimet evro-atlantike.

“E ardhmja e Kosovës, e Serbisë dhe e të gjitha vendeve të Ballkanit është brenda strukturave kryesore evro-atlantike, NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, tha zoti Engel dhe shtoi se “kjo nënkupton se vendet e rajonit e ndajnë fatin e përbashkët dhe duhet të vlerësohen nga standardet e përbashkëta të respektit për fqinjët e tyre”.

Mëtutje, kongresmeni Engel, që është anëtar i Nënkomitetit për Evropën në Dhomën Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara dhe kryesues i grupit për çështje shqiptare në Kongres, ka shprehur kënaqësinë se nën marrëveshjen aktuale, Kosova do të ulet me pllakën e emrit të vet dhe e ka lavdëruar kryeministrin Hashim Thaçi dhe qeverinë e tij, "për marrjen e vendimit të guximshëm dhe të vështirë për ta lëvizur procesin përpara”.

Në deklaratën e tij të sotme, dërguar Radios Evropa e Lirë, Eliot Engel, thekson se kjo marrëveshje e pritur gjatë, ishte e mundshme “vetëm për shkak se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë siguruar se Serbia më nuk do ta bllokojë Kosovën në pjesëmarrje të drejtë në tryezë si një shtet i pavarur” dhe se “sekretarja e shtetit, Hillari Klinton, ka meritë të lartë për garantimin se e drejta e Kosovës, si një vend sovran, mbetet e sigurt gjatë negociatave dhe se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me miqtë e tyre në Ballkan dhe në mbarë botën”.

Në vazhdim të deklaratës, përfaqësuesi Eliot Engël, thekson se “kjo nuk është e mjaftueshme.

"E di se është bërë progres dhe e përshëndes studimin për një Marrëveshje për Stabilizim Asocim për Kosovën” , thotë Engel dhe shton se “mbetem i pakënaqur që BE-ja ishte e ngadalshme në zgjerimin e përfitimeve të njejta për Kosovën, që u janë dhënë shteteve të tjera, bile duket se me gjasë do të avancohet Serbia te statusi i kandidatit, para normalizimit të raporteve me Kosovën”.

Ai konsideron se “nga liberalizimi i vizave, anëtarësimi në BERZH e deri te Marrëvshja për Stabilizim Asocim, Bashkimi Evropian duhet të punoj fuqishëm dhe të lëvizë shpejt në përpjekjet për përfshirjen e Kosovës në strukturat evropiane dhe të siguroj se Serbia aktualisht i implementon marrëveshjet, që i ka nënshkruar me Kosovën”.

Në këtë kuadër, zoti Engel, mendon se “Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja nuk mund të kthejnë kokën prapa kur Serbia injoron marrëveshjet e arritura me Kosovën” dhe shton se “ne duhet ta mbajmë Serbinë përgjegjëse duke mos i zgjeruar përfitimet e mëtejshme për Beogradin, derisa t’i plotësoj të gjitha kushtet e specifikuara të BE-së dhe t’i implementojë marrëveshjet që i ka nënshkruar”.

Në fund të deklaratës, ai thotë se “SHBA duhet të qëndrojnë me popullin e Kosovës, duke synuar mënyra shtesë për ta mbështetur shtetin e ri, përfshirë programin e Sfidës së Mileniumit dhe duke i bërë presion BE-së, që ta ndalë zvarritjen e ardhmërisë evropiane të Kosovës”.
XS
SM
MD
LG