Ndërlidhjet

Banac: Sovraniteti ekziston ose nuk ekziston


Ilustrim
Ilustrim
“Paraqitja me asterisk është problem i caktuar. Në shekullin 21 nuk mund të kemi përkufizime të ndryshme të sovranitetit. Sovraniteti ekziston ose nuk ekziston”, thotë Ivo Banac, profesor historie në Yale University dhe në Universitetin e Zagrebit, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Prishtina dhe Beogradi, javën e kaluar, kanë arritur marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës në forumet dhe nismat rajonale. Kjo marrëveshje parasheh përdorimin e fusnotës, e cila përmban Rezolutën 1244 dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Për fillim, sa mund t’i qetësojë marrëdhëniet në mes të Prishtinës dhe Beogradit marrëveshja e tillë?

IVO BANAC
Unë nuk mendoj se ky është qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje. Mendoj se Bashkimi Evropian ka dashur të krijojë mundësinë për kandidaturën e Serbisë. Andaj, nuk mendoj se kjo marrëveshje do të jetë shumë e dobishme për Kosovën.

Ndërkaq, për Serbinë do të jetë e dobishme vetëm sa për t’i mundësuar diçka që pa të me siguri se nuk do të mund ta arrinte. Pra, kemi mbetur aty ku kemi qenë, ndonëse mendoj se koncesione më të mëdha janë bërë nga ana e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë, pothuajse të gjithë, përveç qeverisë, janë të pakënaqur me marrëveshjen, duke thënë se me largimin e termit Republikë, marrëveshja e kthen vendin prapa. Cili është mendimi juaj në lidhje me këtë? A është dashur që Kosova ta pranonte një gjë të tillë? Dhe, a do të ketë pasoja në planet afatgjate?

IVO BANAC
Varet nga ajo se cilat janë perspektivat e Kosovës. Nëse Kosova mund të nxjerrë për vete një tjetër status, nëse përmes lidhjeve të veta ndërkombëtare mund të përfitojë atë që aktualisht nuk e ka, atëherë përgjigjja është e qartë.

Me fjalë të tjera, një politikë më e guximshme nga ana e Prishtinës do të paragjykonte një politikë të brendshme krejt ndryshe, të cilën në këto momente nuk e shohim. Kjo është e keqja më e madhe e gjithë kësaj historie.

RADIO EVROPA E LIRË
A ndikon presioni i komunitetit ndërkombëtar në politikën e brendshme të Prishtinës?

IVO BANAC
Kjo nuk varet nga Prishtina, kjo varet nga marrëdhëniet brenda bashkësisë ndërkombëtare. Kosova ka pasur mbështetje të madhe nga Shtetet e Bashkuara dhe një gjë e tillë mund të pohohet edhe sot, ndonëse administrata Obama, për fat të keq, nuk i kushton shumë vëmendje gjithë rajonit të Ballkanit dhe mbështetja në këtë moment nuk është vërtetuar. Ne nuk e dimë se cila është mbështetja, sepse nuk jemi në gjendje të shohim se çfarë do të bënte SHBA-ja në një situatë krize.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë ka zëra që thonë se me këtë marrëveshje po përgatitet terreni për dialog rreth veriut të Kosovës. Ish-diplomatë amerikanë thonë se Prishtina duhet të jetë zemërgjerë dhe t’i japë veriut një shkallë më të lartë autonomie, ndërsa si shkëmbim të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare. A mendoni se veriu do të jetë temë bisedimesh ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe si e shihni ju zgjidhjen për këtë, le të themi, konflikt të ngrirë?

IVO BANAC
Këtu nuk mund të flas si vëzhgues neutral, sepse mendoj se do të ishte katastrofike për situatën e përgjithshme në Ballkan nëse veriu i Kosovës i lihet Serbisë. Një gjë e tillë do të kishte pasoja shumë të mëdha edhe për pjesë të tjera të rajonit.

Do të kishte pasoja fatale edhe për Bosnjë e Hercegovinën. Ndoshta nga pikëpamja e tyre kjo nuk duket kështu. Por, mendoj se çdo lëshim në një lloj të tillë të tregtisë, do të ishte rrugë pa kthim, që do të mund të sillte pasoja krejtësisht të paparashikuara. Unë nuk do ta rekomandoja në asnjë rast.

RADIO EVROPA E LIRË
Falë marrëveshjes së arritur, Serbia merr kandidaturën për Bashkimin Evropian, ndërkohë që në Kosovë ka skepticizëm për shpërblimin që do t’i jepet. Lidhur me këtë nuk është shumë i qartë as Brukseli. Kështu, Kosova edhe më tej mbetet i vetmi vend pa paketën e BE-së dhe pa liri të lëvizjes. Çfarë do të duhej të bënte BE-ja për Kosovën që të shkonte përpara? Dhe, çfarë duhet të bëjë Kosova në rrugën e euro-integrimeve?

IVO BANAC
Kosova duhet të ndryshojë situatën brenda vetë Kosovës, sepse për aq kohë sa lidershipi politik në Kosovë të jetë nën një lloj mbikëqyrjeje apo nën një lloj dyshimi, do të ketë shumë probleme.

Për fat të keq, unë nuk shoh se si mund të kryhet kjo në një mënyrë të qetë, kur merren parasysh të gjitha problemet që ka Kosova në këtë moment. Andaj, kjo çështje, së pari, varet nga vetë kosovarët. Bashkimi Evropian dhe të gjitha instancat tjera ndërkombëtare do të reagojnë në situata të trazuara.

Në situata relativisht të qeta do të ndjekin politika që nuk janë domosdoshmërisht në interes të atyre vendeve dhe këtë duhet mbajtur në mend. Pra, kjo marrëveshje e ka vënë Kosovën në një situatë në të cilën edhe ka qenë, por më afër problemit që ka Maqedonia, sepse çështja e emrit të saj - në këtë rast nuk është emri por paraqitje me asterisk - paraqet problem të caktuar.

Në shekullin 21 nuk mund të kemi përkufizime të ndryshme të sovranitetit. Sovraniteti ekziston ose nuk ekziston. Nuk mund të ketë sovranitet minus, apo minus-plus A, apo sovranitet asterisk. (v.t.)
XS
SM
MD
LG