Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria e Kosovës e mirëpriti vendimin e Këshillit të Ministrave në Bruksel për studimin e fizibilitetit. Kryeministri Hashim Thaçi tha se ky vendim paraqet avancim të pozicionit të Kosovës drejt integrimeve evropiane. Përderisa nga opozita thanë se çmimi që ka paguar Kosova për këtë studim fizibiliteti, duke arritur marrëveshje me Serbinë për përfaqësimin e Kosovës me anë të fusnotës, është shumë i lartë krahasuar përfitimet.

Sidoqoftë, ishte kryeministri Thaçi ai i cili tha se vendimi i Këshillit të Ministrave paraqet një avancim të madh për Kosovën.

“Kosova do të trajtohet si të gjitha vendet tjera, e barabartë, dhe ky hap, ky standard bëhet vetëm për vendet e pavarura dhe sovrane dhe të njohura ndërkombëtarisht. Kjo do të bëjë shkurtimin e rrugës për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe do të vazhdohet me marrëdhëniet kontraktuale me BE-në”, u shpreh kryeministri Thaçi.

Në anën tjetër, opozita vazhdon kritikat ndaj Qeverisë se ka bërë kompromise të dhimbshme krahasuar me përfitimet. Burim Ramadani, deputet dhe sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se çdo avancim i pozitës së Kosovës drejt integrimeve evropiane, është pozitiv. Por, ai tha se çmimi që po paguan Kosova për hapat e vegjël që po bën, është shumë i lartë.
Ne besojmë se ky është një hap i vogël përpara drejt integrimeve evropiane, por besojmë po ashtu se çmimi në krahasim me këtë hap, është tepër i madh.


“Ne besojmë se ky është një hap i vogël përpara drejt integrimeve evropiane, por besojmë po ashtu se çmimi në krahasim me këtë hap, është tepër i madh”, tha Ramadani.

Duke iu referuar lëshimeve që Kosova bëri në dialogun me Serbinë për pranimin e fusnotës, Burim Ramadani tha se mendon që Kosova duhet të insistojë që të përfitojë edhe në përfaqësimin e saj në nisma tjera ekonomike, politike, kulturore dhe sportive.

“Besojmë se janë edhe shumë elemente që mund të përfitohen, duke përfshirë kodin telefonik, domenin në internet, hapësirën ajrore dhe tekefundit edhe pjesëmarrjen sportive në rajon e Evropë, ngase Kosova tashmë mund të përfaqësohet në to, qoftë edhe me fusnotë. Por, ne po shohim dështim të Qeverisë në përfitimet e Kosovës pas këtij kompromisi që është bërë”, deklaroi Ramadani.

Mirëpo, me kritikat e opozitës dhe të tjerëve nuk pajtohen në Qeveri. Sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, rruga e Kosovës për në BE po përshpejtohet shumë. Ai tha se çështja e fusnotës po përdoret tashmë për pretekste e përfitime politike.

“Kjo çështja e yllit (fusnotës) është bërë çështje e pretekstit për ndonjë garë politike. Por, Kosova po trajtohet si të gjitha shtetet pretendente për anëtarësim në Bashkim Evropian me subjektivitet të vet juridik ndërkombëtar, dhe me një trajtim krejt të veçantë nga të tjerët. E keni parë edhe dje (të martën), nuk është thënë studimi i fizibilitetit për dikë tjetër, por për Kosovën, për një shtet, entitet të veçantë”, theksoi Kuçi.

Ndryshe, studimi i fizibilitetit paraqet vetëm fazën fillestare, pasi që deri te nënshkrimi i marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, vendet e rajonit kanë pritur më pas edhe me vjet.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG