Ndërlidhjet

Eshton: Kosova do të flasë vetë për veten e saj


Bruksel, 1 mars 2012.

Bruksel, 1 mars 2012.

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, ka shprehur mirënjohje ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel.

Duke kujtuar atë që e ka cilësuar marrëveshje historike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sa i përket bashkëpunimit rajonal të të dyja palëve, Eshton ka vlerësuar kontributin e kryeministrit kosovar, për, siç ka thënë, vizionin dhe lidershipin e tij.

“Kjo marrëveshje do të thotë se Kosova do të marrë pjesë dhe do të flasë vetë për veten e saj në më shumë se 35 forume të ndryshme rajonale. Kosova po ashtu do të jetë në gjendje të nënshkruajë vetë marrëveshje. UNMIK-u tashmë ka deklaruar se do t’i lërë këto të drejta për Kosovën”, ka thënë Eshton para gazetarëve në Bruksel.

Kryediplomatja evropiane ka folur edhe për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne gjithmonë kemi thënë se qëllimi i dialogut është t’i sjellim palët më afër Bashkimit Evropian”, ka theksuar ajo, duke shfaqur shpresën për hapa të tjerë të Kosovës drejt BE-së.

“Në marrëdhëniet tona, ne kemi nisur dialogun për vizat, kemi arritur marrëveshje tregtare, pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së... E di se të gjitha këto kërkojnë punë të madhe nga të dyja palët dhe vazhdim të bashkëpunimit. Ne s’kemi mbaruar ende”, ka thënë baronesha Eshton.

Marrëveshjet e arritura në raundin e fundit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë cilësuar sërish si momente historike edhe nga kreu i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi.

“Mendoj se këta hapa janë të vështirë për shkak të së kaluarës, por janë të rëndësishëm për të ardhmen e përbashkët evropiane”, ka thënë Thaçi.

Më 24 shkurt, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal. Pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale kishte shkaktuar ndërprerjen për disa kohë të dialogut, pasi Prishtina insistonte në përfaqësimin e saj si shtet, ndërsa Beogradi këmbëngulte në Rezolutën 1244.

Palët janë dakorduar për paraqitjen e Kosovës me fusnotën, e cila përfshin 1244-shin e OKB-së dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri Thaçi do të takojë sot në Bruksel edhe komisionarin për zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle, si dhe zyrtarë të tjerë të këtij mekanizmi.
XS
SM
MD
LG