Ndërlidhjet

Vlerësime me rezerva për Korenë Veriore

  • RFE /RL

Koreja Veriore...

Koreja Veriore...


Fuqitë botërore i kanë dhënë mirëpritje të kujdesshme shpalljes së Koresë Veriore, se ka vendosur t’i pezullojë elementet kryesore të programit të saj të armatimit atomik.

Koreja Veriore ka konfirmuar se sipas një marrëveshjeje të re me Shtetet e Bashkuara, do ta suspendojë programin e saj të pasurimit të uraniumit, t’i ndalë testet raketore bërthamore me rreze të gjatë veprimi, dhe do të lejojë që inspektorët e Kombeve të Bashkuara ta monitorojnë marrëveshjen.

Shtetet e Bashkuara janë pajtuar që këtë vend të varfër ta ndihmojnë me 240 mijë tonelata ushqim.

Shpallja e Koresë Veriore për suspendimin e programit të saj të armatimit atomik, u bë pas bisedimeve në Pekin (Kinë) ndërmjet negociatorëve të Shteteve të Bashkuara dhe të Koresë Veriore.

Duke e shpallur këtë marrëveshje, para anëtarëve të Kongresit amerikan, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, tha se përkushtimi i Phenianit ishte “hap i parë modest në drejtim të duhur”.

Më tutje ajo theksoi:

Shtetet e Bashkuara, do të them menjëherë, ende kanë shqetësim të thellë. Por, me rastin e vdekjes së Kim Xhong Ill-it, thashë se është shpresë e jona se udhëheqja e re do ta zgjedhë ta udhëzoj vendin e vet në një rrugë të paqes, duke i pasur parasysh obligimet e veta. Shpallja e së mërkurës paraqet një hap modest në drejtim të duhur”, tha Hillari Klinton.

Ministria e jashtme e Rusisë e ka mirëpritur marrëveshjen si një hap drejt vazhdimit të bisedimeve gjashtë - palëshe për çarmatim.

Në bisedimet gjashtë-palëshe janë të përfshira të dy Koretë, Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia dhe Japonia.

Koreja Veriore ishte larguar nga këto takime në prill të vitit 2009, për shkak të asaj, që e kishte përshkruar si armiqësi të Shteteve të Bashkuara, dhe një muaj më vonë e zhvilloi një provë bërthamore.

Përkushtimin e Koresë Veriore, ministria e jashtme e Kinës e përshkroi si hap drejt paqes në gadishullin korean.

Në këtë kuadër zëdhënësi i kësaj ministrie, Hong Lei, tha:

Ne e çmojmë atë që Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Veriore kanë përsëritur se ata do t’i mbajnë premtimet e tyre lidhur me Deklaratën e përbashkët të 19 shtatorit, dhe do të ndërmarrin aksione pozitive pas bisedimeve të tyre në Pekin. Ne e mirëpresim përmirësimin e marrëdhënieve të dyanshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Veriore dhe në mbajtjen e stabilitetit në Gadishullin Korean”, tha Hong Lei.

Koreja Jugore tha se marrëveshja u bë pas përpjekjeve të afërta nga Seuli dhe Uashingtoni për zgjidhjen e çështjes së mospajtimeve atomike.

Ministri i jashtëm i Japonisë, Koiçiro Gemba, vlerësoi se marrëveshja është një “e arritur e rëndësishme”.

Koreja Veriore ka thënë se ata pajtohen që të kthehet ekipi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore. Ata, po ashtu, kanë premtuar të ndërmarrin hapa drejt deatomizimit dhe ta ndalin lansimin e raketave me rreze të shkurtër veprimi. Këto janë të arritura të rëndësishme”, tha Koiçiro Gemba.

Shpallja atomike e Koresë Veriore u bë dy muaj pas vdekjes së liderit Kim Xhong Ill, që ishte në pushtet për shumë kohë.

Disa analistë këtë e kanë parë si ulje e tensioneve nën Kim Xhong-Un, djalin dhe pasardhësin e Kim Xhong Illit.

Por, ka pasur edhe skepticizëm, meqë Koreja Veriore nën liderin e mëparshëm, Kim Xhong Ill, disa herë kishte ofruar marrëveshje për ndaljen e programit të saj atomik, por i kishte tërhequr marrëveshjet dhe kishte vazhduar me testet atomike dhe raketore, pasi i kishte marrë ndihmat. (f. b.)
XS
SM
MD
LG