Ndërlidhjet

logo-print

Nga një situatë tragjike, në tensione ndëretnike


Gostivar, foto nga vendi i ngjarjes

Gostivar, foto nga vendi i ngjarjes


Përshkallëzimi i situatës në Maqedoni mund të parandalohet vetëm me ndërhyrjen urgjente të institucioneve në zbardhjen e të gjitha incidenteve ndëretnike, përfshirë dhe vrasjen që u bë dy ditë më parë, të dy të rinjve shqiptarë nga një polic maqedonas në Gostivar.

Kështu thonë njohësit e marrëdhënieve ndëretnike dhe të çështjeve të sigurisë.

Institucionet e sistemit duhet të reagojnë në mënyrë efikase dhe të drejtë në këtë rast, që të shihen të gjitha aspektet, për të mos lënë hapësirë për daljen e situatës nga kontrolli, pasi në shoqëritë siç është Maqedonia, gjithmonë ekziston mundësia që edhe një incident banal apo një zënkë e vogël, qoftë edhe për një vend parkimi, të ngritë tensionet ndëretnike”, thotë Mirjana Malevska, ligjëruese në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Mersel Bilalli, njohës i marrëdhënieve ndëretnike, për situatën e krijuar fajëson patriotizmin e institucioneve, përfshirë edhe policinë, ku sipas tij, janë përfshirë elemente kriminale, ngjashëm sikur dhe në institucionet tjera.

Kjo është një pasqyrë reale se si funksionon dhe si organizohet një pushtet. Pra, pushteti praktikisht me persona të cilët rrezikojnë qytetarët, dëshiron t’i mbrojë qytetarët. Ky është vetëm një segment i gjithë sferave tjera. Pra të njëjtin organizim, të njëjtën strukturë e kemi në shumë segmente të jetës shoqërore edhe në ekonomi, kulturë, arsim, shkencë e kështu me radhë. Pra ky është një realitet tragjik i Maqedonisë”, thotë Bilalli.

Ai kërkon gjithashtu ndërhyrjen e institucioneve, por, edhe shmangien nga ana e tyre të deklaratave të papërgjegjshme, siç ishte edhe ajo e zëdhënësit të policisë, i cili, duke u bazuar në deklaratën e policit, tha se ai veprën e kishte kryer në vetëmbrojtje, pasi gjoja ishte sulmuar nga personat e vrarë.

Ndërkohë vrasje e 26 vjeçarit Besnik Shehapi dhe 30 vjeçarit Imran Mehmeti në Gostivar, dhe ajo e Martin Neshkovskit, para gjashtë muajve, po ashtu nga një polic në qendër të Shkupit, ka bërë që “Lëvizja qytetare kundër brutalitetit policor”, që tubon pjesëtarët të bashkësive të ndryshme etnike, sërish të kërkojë dorëheqjen e zyrtarëve më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministria e Punëve të Brendshme, sërish me një sërë lëshimesh në paraqitjet e tyre publike krijon konfuzion dhe i nënçmon qytetarët. Fillimisht thonë se sulmuesit kanë qenë të paarmatosur kurse nga ana tjetër ende pa u kryer hetimi, pjesëtarin e saj e shpallë në një farë mënyre, duke u thirrur në deklaratën e tij, si një person që ka kryer aktin në vetëmbrojtje. Ky delitantizëm i MPB-së në këto situata delikate mund të ketë pasoja shumë serioze për shoqërinë, sidomos në këto momente kur kjo ngjarje po merr edhe interpretimin e incidentit ndëretnik”, u shpreh Petrit Saraçini.

Lidhur me incidentin në Gostivar kanë reaguar edhe partitë shqiptare.

BDI-ja ka dënuar aktin duke kërkuar dënimin maksimal të autorit e saj, por në të njëjtën kohë ka kërkuar nga popullata shqiptare që të mos bie në provokime eventuale, ndërsa opozita shqiptare në reagimin e saj tha se “me vrasjen e dy të rinjve, në Maqedoni përfundimisht është vrarë edhe bashkëjetesa ndëretnike”.

Partitë maqedonase janë përmbajtur nga reagimet.

Ndryshe, polici vrasës, Jakim Martinovski, është arrestuar menjëherë pas veprës së kryer, ndërsa gjykata themelore në Gostivar i ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Video nga protestat në Shkup, kundër brutalitetit policor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG