Ndërlidhjet

Vendosja e fusnotës me Rezolutën 12 44 poshtë emrit të Kosovës në kuadër të përfaqësimit të saj në nismat rajonale, po vazhdon të kundërshtohet ashpër nga partitë politike opozitare.

Në fillim të seancës plenare të së enjtes, deputetët e opozitës deklaruan se pranimi i fusnotës nuk e forcon, por e dobëson jashtëzakonisht shumë Kosovën.

Megjithëse thanë që e pranojnë si një dokument jo shumë të mirë për vendin, për deputetët e partisë në pushtet kjo marrëveshje është bërë në mënyrë që Kosova të jetë pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë.

Deputeti Arsim Bajrami, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, hodhi poshtë zërat që me marrëveshjen e fundit të jetë cenuar shtetësia dhe sovraniteti i Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës është një proces i kryer ndërkombëtarisht dhe asnjë proces ndërkombëtar nuk mund ta dëmtojë këtë proces historik, këtë proces të koordinuar, në të cilin meritat me të mëdha janë të popullit të Kosovës, por padyshim edhe të miqve tanë, me të cilët kemi udhëtuar bashkë sidomos në këto dy dekadat e fundit drejt cakut tonë”, tha Bajrami.

Bajrami kritikoi Bashkimi Evropian duke se thënë se në drejtim të Kosovës nuk është duke udhëhequr politika të drejta.

“Fatkeqësisht, Bashkimi Evropian vazhdon të udhëheqë politika të padrejta karshi Kosovës. Vazhdon të mos ndërtojë një unitet çfarë e kanë miqtë, me të cilët ne e kemi shpallur pavarësinë e Kosovës. Kosova ka qenë midis dy zgjidhjeve, zgjidhjes së status quo-së, një lloj përjashtimi apo degradimi institucional në forumet rajonale e evropiane, duke pranuar përfaqësimin përmes UNMK-ut dhe Rezolutës 12 44. Rezoluta 12 44, pa dyshim është një rezolutë e vdekur po fatkeqësisht që nuk i është organizuar ceremonia mortore e varrimit pasi Këshilli i Sigurimit e mban ashtu të vdekur funksionale. Dhe, zgjidhja e dytë ka qenë që Kosova të flasë në emër të vet”, theksoi Bajrami.

Kurse, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sabri Hamiti, duke folur për fusnotën, tha kjo çështje është problematike dhe se, sipas tij, ajo duhet të diskutohet në institucionet e vendit.

“Ne kemi një problem të madh, i cili duhet të diskutohet në Parlament dhe unë besoj që do të diskutohet. Mirëpo, pa kryeaktorin nuk duhet, sepse kryeministri ynë botërisht, publikisht, e ka marrë mbi vete autorësinë e kësaj. E mirë, e keqe - autorësia është e tij, sepse ai e ka deklaruar. Mirëpo, problemi nuk është veç i tij, prandaj duhet të kalojë në institucione dhe të mos diskutohet në biseda të lira qytetare para se në institucione”, u shpreh Hamiti.

Sipas subjektit politik Vetëvendosje, kompromiset e fundit që bëri Qeveria e Kosovës, janë alarmante dhe në kurriz të pavarësisë.

Kryeministri i Kosovës e ka ringjallur Rezolutën 1244, e cila edhe pse ishte në fuqi formalisht, nuk vepronte në praktikë, tha në emër të Grupit Parlamentar deputetja Alma Lama.

“Qeveria e Kosovës nënshkroi marrëveshje në kundërshtim me vetveten, statusin e Kosovës dhe vullnetin e popullit të Kosovës, marrëveshje të cilat e përjetësojnë kontestimin e shtetësisë. Gjëja më e habitshme është si pikërisht ata që i futën bërrylat gjithkujt, vetëm e vetëm që të lexonin vetë Deklaratën e Pavarësisë, po i bëjnë këto lëshime! Mbase kjo nuk do të kishte ndodhur sikur Deklaratën e Pavarësisë ta kishin shkruar vetë. Javën që shkoi është shënuar pika më negative që prej se këto bisedime kanë filluar, e, në fakt, që prej katër vjetësh që kur u shpall pavarësia”, u shpreh Lama duke shtuar se pranimi i fusnotës e nuk e forcon, por e dobëson Kosovën.

Nga ana tjetër, Ardian Gjini, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se gjendja, në të cilën ka ardhur Kosova, është si pasojë e keqqeverisjes.

“U kemi thënë edhe më parë në këtë foltore se kjo Qeveri ia ka nxjerrë faqen e zezë Kosovës. Kjo Qeveri ka bërë që sot Serbia të duket një vend më i civilizuar, më i mirë, më evropian se Kosova. Ju keni bërë që sot Kosova të duket vend i trafikantëve, të duket vend i të korruptuarve, vend i hajnave dhe i njerëzve që nuk e kanë asnjë lidhje se si qeveriset vendi”, theksoi Gjinaj.

Sido që të jetë, deputetët e Vetëvendosje thanë se zëvendësimi i shtetësisë me statusin e fusnotës, e çon vendin drejt një konflikti të ngrirë me Serbinë dhe drejt nevojës për negociata të tjera për ta ndryshuar gjendjen.

Ndryshe, marrëveshja e fundit për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale, si kompromis i arritur në dialogun me Serbinë, për njohësit e integrimeve evropiane nuk i ka zgjidhur përfundimisht dilemat në lidhje me këtë përfaqësim.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG