Ndërlidhjet

Larg BE-së


Ilustrim
Ilustrim
Paralajmërimi për nisjen e hartimit të një studimi të fizibiliteti për Kosovën, ndonëse vlerësohet të jetë hap përpara për vendin, nuk mund ta përshpejtojë agjendën e tij integruese në Bashkimin Evropian, thonë njohësit vendorë e ndërkombëtarë të integrimeve evropiane.

Studimi i fizibilitetit thuhet se mund të zgjasë tetë deri në 12 muaj për të rezultuar me një Raport të fizibilitetit nga Komisioni Evropian.

Periudha deri në nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mund të marrë vite të tëra, ndërsa në rastin e Kosovës vet ratifikimi i kësaj marrëveshjeje do të mund të bllokohej nga Spanja, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia që ende nuk e kanë njohur atë.

Këshilltari special i Fondacionit Grek për Politika të Jashtme dhe Evropiane, ambasadori Aleksandros Mallias, thotë për Radion Evropa e Lirë se hapi i ardhshëm i Prishtinës zyrtare duhet të jetë inicimi i dialogëve politikë me shtetet evropiane që nuk e kanë njohur atë.

Nuk jam i sigurt se sa kohë do të zgjasë për ta përgatitur këtë studim të fizibilitetit, por mendoj se Greqia dhe Kosova duhet ta ndërmarrin iniciativën për të nisur një dialog të strukturuar politik që do të çojë në njohjen e menjëhershme të Kosovës”, thotë ai.

Eksperti Avni Mazreku thekson se nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, kurdo që të ndodhë kjo, do të jetë vetëm fillimi i një procesi të gjatë të anëtarësimit të Kosovës në BE.

Deri në ratifikimin e marrëveshjes, por edhe pa ratifikimin e marrëveshjes-procesit të ratifikimit që është një fazë shumë vonshme, që nënkupton periudhën pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, unë problemin esencial-edhe te fillimi i negociatave midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës, e shoh te çështja e mosnjohjes nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”, shprehet Mazreku.

Një proces të gjatë dhe, siç thuhet, të mundimshëm që duhet kaluar Kosova deri në “vendosjen e binarëve të sigurt” drejt Bashkimit Evropian e parasheh dhe ambasadori grek Mallias.

Ai rikujton se Greqia në vitin 1961 pat nënshkruar Marrëveshjen për Stabilzim-Asociim me BE-në për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm në vitin 1981.

I pyetur se cilat do të jenë sfidat me të cilat autoritetet kosovare duhet të përballen në këtë proces, Mallias përmend problemin e veriut të Kosovës.

Mendoj se në kuadër të procesit të anëtarësimit të Serbisë dhe procesit të ardhshëm të anëtarësimit të Kosovës në BE, një status special brenda kufijve aktual të Kosovës mund dhe duhet të jetë zgjidhja për veriun”, vlerëson ai.

Për zgjidhjen e problemeve ekzistuese ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe kishte nisur, në mars të vitit të kaluar, dialogu “teknik” i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Mirëpo, analistët konsiderojnë se ky dialog është vetëm faza fillestare e një dialogu tërësisht politik që në qendër të shqyrtimit do ta ketë çështjen e veriut të Kosovës.
XS
SM
MD
LG