Ndërlidhjet

Veriu nën "kontrollin" e Beogradit


Veri...
Veri...
Veriu i Kosovës aktualisht është në dorën e kriminelëve dhe qarqeve ekstreme të politikëbërjes, vlerësojnë analistët politikë dhe deputetët e opozitës

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dikur ministër i administrimit të pushtetit lokal, Sadri Ferati, konsideron se veriu në masë të madhe udhëhiqet nga krimi i organizuar i kombinuar me politikën e serbëve të asaj ane.

Kontrollin në veri e kanë strukturat e krimit të organizuar dhe një pjesë e qarqeve ekstreme politike që janë në bashkëpunim me këto struktura të krimit të organizuar. Ato e ushtrojnë një presion dhe në një farë forme dhunshëm e kanë e kontrollin në raport me veriun”, deklaron Ferati.

Ai thotë se status quo-ja, e cila vazhdon të ekzistojë në veri për vite të tëra, është shkaktuar nga faktorë të ndryshëm.

Atëherë, kur Beogradi dëshiron të arrijë diçka, ia arrin. Atëherë kur DSS-i do të bëjë diçka për llogaritë e veta atëherë shihet se jo nuk e ka atë dëgjueshmëri të plotë. Prandaj po them nga rasti në rast. Por, në tersi, në raport me krimin e organizuar, në raport me mungesën e sundimit të ligjit, unë them se Beogradi është një prej fajtorëve kryesor, sepse asnjëherë nuk ka vënë një vijë të qartë në mes të krimit dhe ambicieve politike”, shprehet Ferati.

Qeveria e Kosovës, ndërkaq, ende nuk ka publikuar ndonjë strategji gjithëpërfshirëse për vënien nën kontroll të veriut, gjë të cilën kohë më parë e ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian.

I pyetur lidhur me ketë çështje, ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi nuk ka pranuar të flasë.

Mirëpo, drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore, Krenar Gashi, thotë se kontrollin e vetëm në veri të Kosovës aktualisht e ka Beogradi.

Është një situatë shumë e ndërlikuar, mirëpo nuk do të mund të pajtohesha me një konstatim se veriu i Kosovës nuk është nën kontroll të Beogradit, ani pse ky kontroll që ushtrohet nga Qeveria e Beogradit mund të mos jetë sikur një kontroll që Beogradi e ka në territorin e Serbisë. Megjithatë, e gjithë jeta institucionale dhe shoqërore në veri të Kosovës nuk do të mund të zhvillohej pa fondet dhe instrumentet e shteti të Serbisë. Me fjalë të tjera, Beogradi ka kontroll mbi këtë pjesë të territorit të Kosovës, shumë më shumë se sa që ka Republika e Kosovës”, vlerëson Gashi.

Ai shpjegon se tendenca e Qeverisë së Serbisë është që veriu i Kosovës të shpallet ndërkombëtarisht si një konflikt i ngrirë, ku askush nuk ka kurrfarë kontrolli mbi atë pjesë, dhe me pas, siç thotë ai, e gjithë kjo çështje të drejtohet në tavolinën e bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Muajin e kaluar, serbët e veriut të Kosovës, përmes referendumit, janë shprehur kundër institucioneve të Kosovës.

Ky referendum u pat cilësuar si ilegal nga autoritetet kosovare, ndërkohë që nuk i është dhënë mbështetja as nga Beogradi zyrtar.

Sfidë kryesore në planin afatshkurtër për situatën në veri të Kosovës vlerësohet të jenë zgjedhjet lokale serbe.

Bashkësia ndërkombëtare dhe Prishtina zyrtare kanë kërkuar që ato të mos mbahen në territorin e Kosovës, kërkesë kjo të cilës shteti serb i është përgjigjur me deklarimin se vendimi për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve do të merret në bazë të rezolutës 1244 dhe në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG