Ndërlidhjet

Pakënaqësi për mosrritjen e pensioneve


Ilustrim
Ilustrim
Pensionistët dhe invalidët e punës shprehen se ndihen të nënçmuar dhe të margjinalizuar, për shkak se Kuvendi i Kosovës, me një numër të ngushtë votash ka refuzuar kërkesën e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, për rritjen e pensioneve.

Shaban Kajtazi, kryetar i Bashkimit të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, thotë se pushteti në Kosovë nuk ka fare kujdes ndaj, siç e quan ai, moshës së tretë, e cila, sipas tij, tash e 12 vjet është duke e kërkuar të drejtën e vet, që ua ka borxh implicid shteti.

“Kjo po e tregon moskujdesin ndaj kësaj gjenerate. Këtu shkelen të drejtat ndërkombëtare, shkelet Kushtetuta e Kosovës, shkelen të gjitha ligjet pozitive dhe nuk është as etike dhe as morale sjellja ndaj këtyre pensionistëve në këtë mënyrë. Me këtë, Kosova do ta pengoj veten në hyrjen për në Evropë. Nuk mund ta pranojë Evropa me shkelje të të drejtave të pensionistëve. Ky ligj është sistemor. Është dashur të miratohet dhe t’u kthehet e drejta e pensionistëve në Kosovë”, thotë Kajtazi.

Ndërkaq, Hamdi Tasholli nga Organizata e Invalidëve të Punës thotë se, pavarësisht faktit se Kuvendi i Kosovës e ka refuzuar kërkesën për rritjen e pensioneve, megjithatë ka qenë e dukshme përkrahja dhe reflektimi pozitiv i një numri të konsiderueshëm të deputetëve të pozitës dhe opozitës lidhur me kërkesat e pensionistëve dhe invalidëve të punës.

Sipas Tashollit, këta të fundit do të vazhdojnë bashkëpunimin me Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe do të vazhdojnë përpjekjet për realizimin e të drejtave të tyre.

“Tani e tutje, në marrëveshje me këtë komision, kërkesa jonë më fundamentale në këtë çështje është që të bëhet një projektligj, respektivisht një ligj, në mënyrë procedurale të shkojë në Kuvend dhe aty të gjendet mbështetja financiare prej shumë subjekteve. Kur ta sigurojmë atë mbështetje, do të amendamentohen ligje të caktuara, si për shembull në TVSH, do të amendamentohen ligjet e financave, e të tjera, do të thotë një vistër e ligjeve, që do ta mbështesë kërkesën tonë. Ne nuk do të prajmë së vepruari për t’i realizuar të drejtat tona legjitime”, shprehet Tasholli.

Ndryshe, njohësit e rrethanave sociale në Kosovë vlerësojnë se gjendja e pensionistëve dhe invalidëve të punës në vend është jashtëzakonisht e rëndë.

Sociologu Shemsi Reçica, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se ajo që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës lidhur me çështjen e ngritjes së pensioneve, ka qenë e pritshme, kur kihet parasysh mungesa e fondeve të mjaftueshme të Qeverisë, për t’u dalë përballë kërkesave të pensionistëve dhe invalidëve të punës.

“Qeveria nuk ka fonde për rritjen e pensioneve, megjithëse kërkesat e pensionistëve janë shumë reale dhe shumë të arsyeshme, sepse po marrin pensione minimale. Mirëpo, Qeveria ka harxhuar fonde në drejtime tjera dhe me siguri se do të ketë ndonjë krizë të buxhetit. Është interesante ndarja e kuvendarëve, dje, rreth këtyre pensioneve, në dy grupe relativisht të njëjta. Mirëpo, është një ndarje gjithashtu e pritshme, për arsye se Qeveria nuk ka mundësi që të pranojë rritje për pensionet, ndërsa opozita dëshiron ta shfrytëzojë edhe këtë rast, këtë ngushtësi të Qeverisë dhe t’i kundërvihet asaj”, vlerëson Reçica.

Sidoqoftë, sociologu Reçica nuk pret që situata të ndryshojë dukshëm sa i përket plotësimit të kërkesave këmbëngulëse të pensionistëve. Sipas tij, mostrajtimi i dinjitetshëm i tyre është vetëm një prej shumë problemeve.

Reçica thotë se pensionistët dhe invalidët e punës janë ndër kategoritë e shumta sociale, të cilat aktualisht përballen me probleme si dhe me gjendjen e vështirë sociale.
XS
SM
MD
LG