Ndërlidhjet

Edhe të premten në Shkup vazhduan protestat e qindra shqiptarëve dhe maqedonasve për të shprehur revoltën kundër vrasjes së dy të rinjve shqiptarë nga polici Jakim Trifunovski.

Protestuesit, i thanë STOP dhunës policore, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministres së Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe zëdhënësit Ivo Kotevski.

Protestuesit shqiptarë u nisën nga Çairi dhe u drejtuan para Parlamentit të Maqedonisë. Por, të premten ata refuzuan t`i bashkëngjiten grupit që protestonte në sheshin Nëna Terezë, të organizuar nga lëvizja qytetare “Kundër brutalitetit policor”, pjesëtarë të së cilës janë qytetarë të të gjitha nacionaliteteve.

Protestuesit shqiptarë thanë se autoritetet zyrtare janë ato, të cilat duhet të sigurojnë qytetarët dhe jo nga to të kenë frikë qytetarët për sigurinë e tyre.

Apeloj, në emër të nënave shqiptare, që Jankullovska dhe Kotevski të japin dorëheqje. Apeloj te parlamentarët shqiptarë këtu në Maqedoni se ne jemi duke vuajtur, po na i rrahin e vrasin fëmijët... Deri kur më?!”

“Kemi vuajtur nëpër burgje për këtë liri, edhe kjo liri nuk po vjen si duhet, si e kemi kërkuar ne... Po punon tradhtia duke i vrarë njerëzit pas shpine”,
thanë protestuesit e mbledhur para Parlamentit të Maqedonisë, duke paralajmëruar protesta edhe gjatë ditës së shtunë.

Ndërsa, grupi tjetër i protestuesve i mbledhur në Sheshin Skënderbeu, nën udhëheqjen e lëvizjes qytetare “Kundër brutalitetit policor”, pjesëtarë të së cilës janë qytetarë të të gjitha nacionaliteteve, thanë se gjatë ditëve në vijim do të vendosin kundrejt cilave institucione do ta rrisin presionin

Ndërkohë, analistët politikë duke komentuar sërish ndarjen e protestave kundër veprimeve të policisë në baza etnike, thanë se flet qartë sa shumë është e ndarë shoqëria maqedonase.

”Shoqëria jonë ka ndasi të thella sa u përket çështjeve etnike dhe duket qartë se rastet e këtilla shërbejnë për të parë realitetin në sy, se vështirë mund të shprehet solidariteti edhe ndaj, nëse mund ta quajmë, luftës së përbashkët për demokratizimin e institucioneve”, theksoi Biljana Vankovska, analiste politike

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Arben Çejku, të premten vizitoi për t’i ngushëlluar familjet e dy të rinjve shqiptarë, të cilët u vranë ditë më parë në Gostivar, Shehabi dhe Memedi. Me këtë rast, Çejku porositi partitë politike që të heqin dorë nga çdo lloj keqpërdorimi i rasteve të këtilla për politikë ditore, ndërsa nga organet e drejtësisë kërkoi të bëjnë punën e duhur.

“Ne inkurajojmë organet e drejtësisë që të japin drejtësi për rastin dhe njëkohësisht inkurajojmë familjet që ta përballojnë këtë dhimbje, këtë tragjedi. Natyrisht, apeloj për heqje dorë nga çdo lloj përdorimi dhe keqpërdorimi për agjenda politike apo agjenda të tjera për marrëdhëniet ndëretnike”, deklaroi Arben Çejku, ambasador i Republikës së Shqipërisë.
XS
SM
MD
LG