Ndërlidhjet

Klinton uron Kosovën dhe Serbinë


Hillari Klinton

Hillari Klinton

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Evropian që të fillojë Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit për Kosovën, duke theksuar se një gjë e tillë është e rëndësishme për orientimet evropiane të Kosovës dhe shenjë se BE-ja i është përkushtuar Kosovës.

"Integrimet evropiane janë të mirëseardhura për Serbinë, Kosovën dhe gjithë rajonin. Përgëzoj liderët e Kosovës dhe të Serbisë për kurajën dhe përkushtimin për të marrë vendime të vështira, që janë të domosdoshme për arritjen e qëllimeve”, thuhet në deklaratën e sekretares Klinton.

Kryediplomatja amerikane e ka quajtur hap të rëndësishëm për Serbinë vendimin e Këshillit Evropian për t’i dhënë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

“SHBA kanë miqësi të fuqishme dhe të gjatë me Kosovën e Serbinë dhe ato do të vazhdojnë të bashkëpunojnë nga afër me to"
, ka thënë Klinton.

Prishtina dhe Beogradi, të premten e kaluar, kanë arritur marrëveshje për bashkëpunimin rajonal. Në kuader të kompromisit përfshihet fusnota për prezantimin e Kosovës në nismat rajonale, e cila përmban Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Si “shpërblim”, Bashkimi Evropian ka miratuar kandidaturën evropiane për Serbinë, ndërsa për Kosovën ka thënë se do të fillojë studimin e fizibilitetit që i hap rrugën Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.(v.t)
XS
SM
MD
LG