Ndërlidhjet

Marrëveshja ia ka hapur dyert Kosovës

  • RFE /RL

Hashim Thaçi dhe Herman von Rompoj (foto arkiv)

Hashim Thaçi dhe Herman von Rompoj (foto arkiv)

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përmbyllur të premten takimet e tij me zyrtarë të lartë evropianë, me bisedimet e fundit që ka zhvilluar në Bruksel me presidentin e BE-së, Herman van Rompoj.

Takimi ka ndodhur në ditën kur, për shkak të dhënies së statusit të kandidatit evropian Serbisë, Rompoj ka thënë se janë marrë vendime të rëndësishme që do të kenë ndikim në të ardhmen e tërë Ballkanit Perëndimor.

Pas takimit me kreun e ekzekutivit kosovar, Rompoj ka lëshuar një deklaratë ku ka uruar Thaçin për atë që ka quajtur "rezultat të suksesshëm në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit".

“Marrëveshja për bashkëpunim rajonal është një arritje e madhe që hap dyert për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale. Jam po ashtu i kënaqur që është gjetur një marrëveshje për implementimin e pajtimit për menaxhimin e integruar të kufirit. Të dyja këto janë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të raporteve”, thuhet në komunikatën e Zyrës së presidentit të BE-së, duke nënvizuar se “lidershipi i kryeministrit Thaçi ka luajtur një rol të rëndësishëm në dialog”.

Von Rompoj ka shprehur shpresën se së shpejti do të shihet progresi edhe me dialogun e vizave, me arritjen e një marrëveshjeje për çështje tregtare, qasje në programet e Bashkimit Evropian dhe me anëtarësim në Bankën Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim.

Herman von Rompoj, i cili më parë dhënien e statusit të kandidatit Serbisë e kishte quajtur si sukses të të dyja palëve, pra edhe Kosovës, përsëriti edhe pas këtij takimi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, se këto vendime janë në të mirë të tërë rajonit.

Të premten, Këshilli Evropian ka mbështetur konkluzionet e këshillit nga 28 shkurt, të cilat hapin rrugë për një studim fizibiliteti për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes BE-së dhe Kosovës, së bashku me statusin e kandidatit Serbisë. Ky është një lajm i mirë dhe këto e forcojnë orientimin evropian të Ballkanit perëndimor dhe lidhjen e rajonit me BE-në, ka thënë Rompoj.

Kryetari i Këshillit të BE-së, ka thënë se stabiliteti i tërë rajonit të Ballkanit mbetet interes kyç i BE-së dhe ka ftuar Beogradin e Prishtinën që të vazhdojnë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më sot dhe të kërkojnë edhe rezultate të reja në dialog.

Reformat politike dhe ekonomike, bashkëpunimi rajonal dhe raportet e mira fqinjësore do të sjellin rajonin më afër BE-së.

Në këtë kontekst, nënvizoj nevojën që Kosova të vazhdojë të intensifikojë përpjekjet për reforma dhe të shfrytëzojë sa më mirë praninë e gjerë të BE-së në Ksoovë dhe praninë e EULEX-it, thuhet në deklaratën e presidentit Herman von Rompoj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG