Ndërlidhjet

Miliarderët prapa kandidatëve republikanë

  • Heather Maher

Mit Romni, Ron Paul and Njut Gingriç në një debat...

Mit Romni, Ron Paul and Njut Gingriç në një debat...

Fushata e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara ka dalë jashtë binarëve.

Nga procesi i zgjedhjes së republikanit që do të sfidonte presidentin Barak Obama në zgjedhjet e nëntorit, është supozuar të dilte një favorit i dukshëm. Pritej që anëtarët e partisë të ishin më energjikë dhe më të bashkuar pas kandidatit të tyre.

Në vend të kësaj, katër burrat vazhdojnë të luftojnë deri në vdekje njëri-tjetrin, në atë që shumica e vëzhguesve e kanë cilësuar si fushatën më të keqe në historinë moderne.

Ish-guvernatori i Masaçusec, Mit Romni, është favorit për të fituar, por ish-senatori Rik Santorum, ish-kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve, Njut Gingriç, dhe kongresisti Ron Pol thonë se nuk e kanë ndërmend ta lënë garën së shpejti.

Po, përse do ta linin? Ata vazhdojnë të marrin me bollëk gjënë më të rëndësishme për secilin kandidat politik në Amerikë: para.

Gingriç financohet nga manjati i kazions në Las Vegas, Sheldon Adellson; Pol nga miliarderi i San Franciskos Piter Thill; Santorum nga biznesmeni I Uiomingut, Foster Fris, ndërsa Romni po paguan faturat me ndihmën bujare të miliarderit të Karolinës Veriore, Xhulian Robertson.

Ilustrim

Ilustrim

Një gjë e tillë do të ishte e paligjshme vetëm tre vjet më parë. Ligjet amerikane për financimin e fushatave kanë qenë gjithmonë të shkruara në atë mënyrë që limitonin ndikimin e çdo personi në kandidatin politik, me idenë se demokracia ka nevojë për pjesëmarrjen e të gjithëve dhe jo vetëm të qytetarëve të saj më të fuqishëm.

Por, në vitin 2010, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka transformuar plotësisht mënyrën e financimit të zgjedhjeve në Amerikë.

Me vendimin e saj, kanë lindur komitetet për aksione politike të SHBA-së, të njohura si Super Pac. Ato mund të ngrenë fonde të pacaktuara nga kudo dhe kushdo dhe t’i shpenzojnë nga reklamat politike deri te pullat postare në mbështetje të kandidatëve. I vetmi rregull është se ato nuk mund të koordinojnë fushatën.

Me motot si “Të fitojmë të ardhmen tonë” ose “Ndërto të ardhmen”, këto komitete kanë pasur ndikim të jashtëzakonshëm në fushatën e sivjetme të kandidatëve presidencialë.

Eksperti për financimin e fushatave, Entoni Korado, i ka thënë gazetës “USA Today” se pa paratë e tyre, gara e republikanëve do të merrte fund.

“Komitetet Super Pac janë bërë mjet i një numri shumë të vogël të milionerëve dhe miliarderëve, të cilët janë të gatshëm të shpenzojnë shuma të mëdha parash në ndjekje të agjendës së tyre politike”, ka thënë Korado.

Këto agjenda radhiten nga taksat më të ulëta për të pasurit dhe më pak rregulla për bizneset deri te ligjet kundër abortit dhe martesave të gjinisë së njëjtë. Parandalimi i Iranit nga prodhimi i armës bërthamore është në krye të agjendës së Sheldon Adellsonit, pasi ai është një mbështetës i zjarrtë i Izraelit.

Deri më tash, Adellson i ka dhënë kandidatit të tij 13 milionë dollarë. Ai i ka thënë revistës “Forbes” se do të japë më shumë se 100 milionë dollarë “për të mbajtur fushatën e Njut Gingriçit gjallë”.

Presidenti Barak Obama i ka kundërshtuar këto mënyra të financimit. Sipas tij, “ato u japin më shumë pushtet në Uashington interesave të caktuar dhe lobuesve të tyre, ndërsa minojnë ndikimin e amerikanëve mesatarë, të cilët japin kontribute të vogla për të mbështetur kandidatët e tyre të preferuar”.(v.t.)
XS
SM
MD
LG