Ndërlidhjet

Pa kompromis, s'ka integrim


Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, dhe homologu i tij grek Lukas Papademos në Bruksel.
Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, dhe homologu i tij grek Lukas Papademos në Bruksel.
Pa kompromis nuk ka zgjidhje të asnjë problemi dhe këtu përjashtim nuk do të ketë as për Maqedoninë, e cila, pa arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme me Greqinë për çështjen e emrit, nuk mund të pretendojë anëtarësimin në NATO dhe BE.

Këto janë vlerësimet e partive opozitare duke komentuar takimin pa asnjë epilog të kryeministrave të të dyja vendeve në Bruksel, Nikolla Gruevski dhe Llukas Papashimos.

Nga opozita, gjithashtu, theksojnë rastin me Serbinë që arriti të marrë statusit e shtetit kandidat për anëtarësim në BE, vetëm pasi arriti marrëveshje me Kosovën, e cila, nga ana tjetër siguroi përfaqësimin në nismat rajonale, si dhe studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në.

“Maqedonia nga pozita e liderit në rajon në procesin e integrimit, kur krenoheshim se sa pas nesh ndodhen Shqipëria, Bullgaria, e të mos flasin për Serbinë, e cila, ndodhej nën sanksione të shumta, tani ne gjendemi në fund. Kjo është për të ardhur keq. Problemi i Maqedonisë nuk është i pazgjidhur, por këtë nuk e bën elita politike në pushtet për të mos rrënuar imazhin e saj. Pra, ajo interesat partiake i ka vendosur mbi interesat nacionale të vendit ”, thotë Andrej Petrov nga Lidhja Social-demokrate e opozitës.

Edhe nga Partia Demokratike Shqiptare thonë se Maqedonia duhet të bëjë kompromise, siç bënë edhe shtetet tjera në fqinjësi nëse dëshiron integrimin e saj. Por, deputeti i kësaj i partie, Zijadin Sela, thotë se një kompromis i këtillë vështirë se do të bëhet nga Qeveria aktuale.

“Gruevski pati deklaruar se problemi i emrit do të zgjidhet ndoshta pas 5 vjetësh, apo jo. Ai ka planifikuar se, edhe 5 vjet, duke e mbajtur në ajër një problem inekzistent, do të jetë pjesë e Qeverisë, do të fitojë shumicën, sepse Gruevski vetëm nëpërmjet problemit të emrit ka arritur që jetë pjesë e pushtetit prej vitit 2006 e këndej. Por, ajo që është për t’u diskutuar është pozicioni i subjektit politik shqiptar, BDI-së, i cili, është irelevant dhe s’pyetet për asgjë ”, shprehet Zijadin Sela nga PDSH-ja.

Partitë në pushtet, nga ana tjetër, përsërisin qëndrimet tashmë të njohura se janë për vazhdimin e bisedimeve për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme, por pa kushtëzime dhe bllokada, siç shprehen ata.

“Maqedonia ka vullnet të mirë për të biseduar me Greqinë lidhur me emrin tonë kushtetues dhe dëshmi për këtë është edhe takimi i fundit në Brusksel, që është mbajtur me iniciativën tonë. Mendoj se rasti i fundit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mund të reflektohet pozitivisht në dialogun mes dy vendeve”, thekson Aleksandar Spasenovski.

Nga VMRO-ja thonë se Maqedonia tashmë ka bërë të gjitha lëshimet dhe se Athina është ajo që duhet ta zhbllokojë integrimin e vendit, pasi për këtë ekziston edhe marrëveshja e përkohshme që e mundëson një gjë të tillë.

Ndërkohë, edhe nga BDI-ja përsërisin qëndrimin se zgjidhja e çështjes së emrit mbetet prioriteti kryesor i saj dhe i Qeverisë dhe për arritjen e zgjidhjes, thonë se me rëndësi është që të inkuadrohen të gjithë faktorët relevant.

“Ne kemi nënvizuar veçanërisht porosinë për zgjidhjen e çështjes së emrit, për të cilën ne po punojnë dhe kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë, që sa më shpejt të zhbllokohet ky problem që zhbllokon edhe rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, që mbetet prioriteti ynë dhe i Qeverisë ”, thotë Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
XS
SM
MD
LG