Ndërlidhjet

LDK mban Konventën e Punës


Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, foto arkivi
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, foto arkivi
Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës në gjithë territorin e saj janë të përfunduara dhe nuk mund të negociohet më me askënd për këto çështje, ka deklaruar të shtunën kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Komentet e tij, Mustafa i bëri gjatë Konventës së LDK-së.

“Shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, veçmas në disa komuna me shumicë serbe në veri të vendit, janë sfida për forcimin e pavarësisë dhe të shtet-ndërtimit”, ka thënë Mustafa.

Duke iu referuar bisedimeve me Serbinë, Mustafa tha se LDK-ja angazhohet për zgjidhjen me dialog të problemeve me fqinjët, pa e prekur sistemin kushtetues, rregullimin e brendshëm dhe kufijtë, duke ofruar të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët.

“Politika duhet të jetë në shërbim të qytetarëve e jo qytetarët në shërbim të politikës”, tha ai.

Më pas, Mustafa u është drejtuar anëtarëve të partisë me zotimet se LDK do ta drejtojë vendin kah integrimet evropiane.

“LDK-ja ka integritet të luftojë korrupsionin dhe të mundësojë që të funksionojë rendi dhe ligji në Kosovë. LDK-ja ka përvojë dhe integritet të sigurojë punë dhe ekonomi stabile, të sigurojë që qeverisja ekonomike do të realizohet në harmoni me modelin evropian të ekonomisë sociale të tregut, si koncept i partive të qendrës së djathtë”, ka thënë Mustafa.

Konventa e Punës e LDK-së me moton “Për një Kosovë evropiane”, përfshinë diskutimet për reformimin dhe perspektivën e LDK-së, me ambiciet që nga opozita, të kthehet në pushtet me një program të vetin qeverisës.

“LDK, prej themelimit, gjatë rrugëtimit të saj, si edhe sot, ishte dhe është parti e orientuar drejt Perëndimit, parti evropiane, parti që kultivoi miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është parti e cila si vlerë kultivon votën e lirë, demokracinë e brendshme, sjelljen korrekte, ligjin, dinjitetin njerëzor, parti, e cila në kthesat më të rëndësishme triumfoi me votën dhe besimin e qytetarëve të Kosovës, sepse LDK-ja punoi dhe punon për Republikën e Kosovës”, tha me këtë rast lideri i saj, Isa Mustafa. (z.g)
XS
SM
MD
LG