Ndërlidhjet

Zgjedhjet serbe, të patolerueshme në Kosovë


Foto arkiv
Foto arkiv
Presidenca e Kosovës ka reaguar lidhur me deklaratat e zyrtarëve të lartë të Serbisë, që prekin çështjen e organizimit të zgjedhjeve lokale serbe edhe në Kosovë.

Kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, kishte deklaruar se organizimi i zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë do të varet nga rrethanat dhe faktorët e sigurisë, por shteti serb do të përpiqet që të bëjë gjithçka që është e mundur që t’i realizojë principet kushtetuese të tij.

Por, Arbër Vllahiu, këshilltar për media i presidentes së Kosovës Ahtifete Jahjaga, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se zgjedhjet e paralajmëruara të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës janë ilegale, kundër kushtetuese dhe nuk prodhojnë asnjë efekt ligjor. Vllahiu ka theksuar se tentimi për të mbajtur zgjedhje lokale në territorin e Kosovës nga ana e Serbisë është në kundërshtim me të gjitha dokumentet dhe rezolutat ndërkombëtare.
Çdo organizim i zgjedhjeve të një shteti tjetër brenda territorit të Kosovës është i papranueshëm dhe i patolerueshëm.


“Ato janë cenim i integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe i ndërtuar në parimin qytetar. Zgjedhjet në Republikën e Kosovës organizohen me ligjet dhe Kushtetutën e vendit dhe në gjithë territorin e Republikës. Çdo organizim i zgjedhjeve të një shteti tjetër brenda territorit të Kosovës është i papranueshëm dhe i patolerueshëm. Republika e Serbisë duhet të përmbushë dhe të respektojë të gjitha obligimet ndërkombëtare dhe të ndërtojë një fqinjësi të mirë me Republikën e Kosovës, si dy shtete me aspirata për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë Vllahiu.

Ndryshe, analisti i çështjeve politike, Behlul Beqaj, ka vlerësuar se veriu i Kosovës vazhdon të mbetet si një instrument për realizimin e qëllimeve politike - qoftë të pozitës, qoftë të opozitës në Serbi. Sipas tij, nëse Bashkimi Evropian nuk ndërmerr masa të caktuara, shteti serb përsëri do të shpallë zgjedhje edhe në veriun Kosovës.
Veriu, komunat e veriut, kanë qenë, janë dhe do të mbeten instrument në duart e pozitës dhe opozitës (serbe)...


“Veriu, komunat e veriut, kanë qenë, janë dhe do të mbeten instrument në duart e pozitës dhe opozitës (serbe), të cilin mundet, eventualisht, ta sqarojë vetëm Bashkimi Evropian, i cili ia dha statusin e kandidatit Serbisë. Ndërkaq, kosovarët do të ‘këqyrin seri’(shikim me habi), sikurse kanë këqyrur deri më tash, për faktin se ata janë zënë peng nga ndërkombëtarët, që të mos lëvizin në drejtimin e zbatimit të Kushtetutës në tërë territorin e Kosovës”, ka vlerësuar Beqaj.

Në anën tjetër, në zgjedhjet lokale të organizuara nga Serbia, në vitin 2008, mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë dhe institucionet vendore, patën kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në vend.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i pati quajtur të paligjshme këto zgjedhje, duke thënë se ato e shkelin Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, por gjithashtu kishte deklaruar se mbajtjen e zgjedhjeve nuk do ta pengojë me forcë.

Ndryshe, shteti serb vazhdon edhe sot të thirret në Rezolutën 12 44. Shikuar nga kjo perspektivë, sipas analistit Beqaj, shteti serb e ka shkelur dhe përsëri do ta shkelë këtë rezolutë, ndërkohë që pala kosovare nuk e ka përdorur dhe nuk po e përdorë këtë argument. Situata, sipas tij, është e tillë çfarë është, për shkak të, siç e ka quajtur Beqaj, hipokrizisë së faktorëve të involvuar në situatën në Kosovë.

“Këtu është hipokrizi e trefishtë, e ndërkombëtarëve përtej oqeanit, e ndërkombëtarëve të Bashkësisë Evropiane dhe vendorëve në Kosovë dhe në Serbi. Ky është një mashtrim i të gjitha forcave, të cilat po manipulojnë me atë pjesë. Por, edhe ata i kanë interesat e veta, sepse aty po qeveriset nga kriminelët. Nuk po qeverisin në bazë të zgjedhjeve të lira, por në bazë të zgjedhjeve kriminale që po bëhen me paravanin, të cilin faktikisht ia ka dhënë edhe zoti Feith. T’ju përkujtoj vetëm këtë se, ai pati thënë se në veri zgjedhjet janë legjitime, por nuk janë legale”, ka shpjeguar Beqaj.

Analisti Beqaj ka shtuar se e sheh si fajtor misionin EULEX, për mosshpërbërjen e strukturave në veri, të cilat, sipas tij, përfaqësuesit e këtij misioni vetë i kanë emëruar si jolegale.

Sidoqoftë, çështja e mbajtjes ose jo të zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës tash e sa ditë ka qenë temë e debateve dhe polemikave edhe në Serbi. Përfaqësuesit e opozitës në Serbi, i kanë akuzuar autoritetet e Beogradit duke thënë se anashkalimi eventual i Kosovë sa u përket zgjedhjeve lokale, do të nënkuptonte tradhti dhe pranim të shtetit të pavarur të Kosovës nga shteti serb.
XS
SM
MD
LG