Ndërlidhjet

Turqia krahason Sirinë me Ballkanin


Shkatërrimet nga bombardimet e forcave siriane...
Shkatërrimet nga bombardimet e forcave siriane...
Turqia tha se mungesa e konsensusit ndërkombëtar për Sirinë, po ia mundëson qeverisë së atjeshme që të vazhdojë me aksionet vdekjeprurëse ndaj mijëra njerëzve.

Ministri i Jashtëm Ahmet Davutoglu, tha se shkalla e vrasjeve është e njëjtë me atë të luftërave të Ballkanit të viteve ’90 dhe i përshkroi veprimet e regjimit sirian si “krime kundër njerëzimit”.

“Incidentet e fundit në Baba Amro dhe ato që ndodhën më herët në Zabadi, si dhe incidentet në qytete tjera, janë bërë një fushatë e organizuar e masakrës e udhëhequr nga armata e rregullt kundër popullit të saj. Tensionet dhe dhuna po rritet çdo ditë”, tha Davotuglu.

Ai i bëri këto komente në një konferencë të përbashkët me homologun italian, Xhulio Terzi.

“Regjimi sirian po kryen krime kundër njerëzimit çdo ditë. Tash, komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet dhe t’i mbrojë vlerat ndërkombëtare. Pengimi i shpërndarjes së ndihmave humanitare, pengimi i hyrjes së përfaqësuesve të OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare humanitare në Siri, është një krim tjetër”, tha Davotuglu.

I ashpër ishte edhe ministri italian, Xhulio Terzi.

“Atje po ngjajnë eliminime fizike të individëve dhe në pjesë të qyteteve që janë bombarduar, qytetarëët po e shohin terrorin në rrugë me eliminimin e banorëve të tyre në një mënyrë të papranueshme dhe diskriminuese. Po, është e vërtetë që kemi ardhur te situata që është kriminale dhe përbën krim kundër njerëzimit”, theksoi Terzi.

Të dy ministrat kritikuan Sirinë për bllokimin e konvojit të Kryqit të Kuq, i cili po dërgonte ndihma për të ngujuarit të qytetin e Homsit.

Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban ki Mun, është shprehur i alarmuar nga lajmet që vijnë prej Homsit, vendi ku janë përqendruar luftimet mes forcave qeveritare dhe opozitës siriane. Ban i tha Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se qeveria siriane ka dështuar që të mbrojë popullatën e vet.

"Është koha për komunitetin ndërkombëtar që të flasë me një zë të qartë dhe të lartë. Ndasitë po ua mundësojnë autoriteteve në Siri rrugën e dhunës. Vonesat në përpjekjet humanitare po shkaktojnë vuajtje njerëzore. Dhuna e vazhdueshme rrezikon me një luftë civile, nga e cila mund të pësojnë gjeneratat që vijnë”, tha Ban.

Ambasadori sirian në OKB, Bashar Xhaferi, tha se Ban nuk i ka informacionet e duhura.

Në zhvillime tjera, aktivistët sirianë thanë se po bombardohen distrikte të caktuara në qytetin e Homsit, ndërsa trupat qeveritare po pengojnë konvojet e Kryqit të Kuq që të shpërndajnë ndihma në zonat e shkatërruara.

Ndërkohë, diplomatët në Siri pranuan trupin e gazetares amerikane Marie Kolvin, dhe të fotoreporterit francez, Remi Ohlik, që u vranë në muajin e kaluar gjatë bombardimit të distriktit Baba Amro të Homsit.

Nuk ka informacione zyrtare se kush janë diplomatët që kanë marrë trupat në Spitalin Ushtarak Al-Asad të Damaskut. Por, Reuters citon një dëshmitar të ketë thënë se ata ishin nga ambasada polake, që i menaxhon edhe çështjet e Shteteve të Bashkuara në Siri, si dhe nga ambasada franceze.(a.i.)
XS
SM
MD
LG