Ndërlidhjet

logo-print

Britania e quan kriminal regjimin sirian


Tym nga bombardimet në Baba Amr, Homs, Siri, shkurt, 2012

Tym nga bombardimet në Baba Amr, Homs, Siri, shkurt, 2012

Sekretari i jashtëm britanik Uilliam Hejg tha se ndalimi i hyrjes së ndihmave humanitare në Siri, nga ana e qeverisë siriane, tregon se sa “kriminal” është bërë ky regjim.

Britania, sipas tij, do të vazhdojë të bëjë presion në Kombet e Bashkuara dhe të ndikojë te anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, Kina dhe Rusia- të cilat më herët kanë vënë veto ndaj rezolutave që dënonin dhunën dhe kërkonin largimin e presidentit sirian, Bashar al Asad.

Hejg tha se ka folur me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov në lidhje me këtë çështje.

“Ne kërkojmë që kjo të adresohet sërish në Këshillin e Sigurimit. Kjo nënkupton se duhet të punojmë me shtetet si Rusia dhe Kina, të cilat kanë bllokuar përpjekjet e mëhershme”, ka thënë Hejg për televizionin britanik Sky News.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar është penguar sërish që të dërgojë ndihma për banorët e ngujuar në distriktin Baba Amr në Homs. Lideri i OKB-së, Ban Ki Mun ka kërkuar qasje të pakushtëzuar të ndihmave humanitare në qytete siriane.

Ndërkohë, edhe të shtunën është raportuar për bombardime të reja në qytetin e tretë për nga madhësia në Siri, në Homs.
XS
SM
MD
LG