Ndërlidhjet

logo-print
Trendi i veshjes te shumica e të rinjve, të cilët kanë folur për rubrikën tonë të përjavshme VOX, është mjaft i rëndësishëm. Ata thonë se tani edhe interneti u ndihmon që të jenë në hap me kohën. Edhe pse shumica e të intervistuarve janë studentë dhe varen financiarisht nga prindërit, ata prapë se prapë i kushtojnë mjaft rëndësi gardërobës. Disa thonë se harxhojnë nga 400 euro në vit, e disa të tjerë nga rreth 50 euro në muaj.



Vigani, student, 22-vjeçar, thotë se gjysmën e pagës së tij e shpenzon për gardërobë:

“Mund të them se shpenzoj shumë për gardërobë, gjysmën e pagës për çdo muaj”.

Ndërkaq, Bekim Kajtazi thotë se shpenzon rreth 400 euro në vit, për të ndjekur trendin e veshjes, meqenëse nuk ka më shumë mundësi.

“Pak a shumë, nuk jam një që shpenzoj shumë, por kur e blej një send mundohem ta blej atë që është në modë. Unë punoj dhe rreth 400 euro i shpenzoj në vit për veshje. Ndodh që në muaj nuk blej asgjë”, tregon Bekim Kajtazi.

Edona Shala, studente e Fakultetit Ekonomik, thotë se mundohet gjithherë të jetë në hap me kohën, sa i përket trendit të veshjes, edhe pse prindërit e saj kujdesen financiarisht, pasi që Edona nuk punon.

“Modën e përcjelli shumë dhe mendoj se në ditët e sotme është shumë e rëndësishme. Kam mundësi edhe pse nuk punoj, sepse financohem nga prindërit. Nuk është shumë i rëndësishëm çmimi, por diçka që më pëlqen, e blej”, thotë Edona Shala.

Por, ka edhe të tillë që mendojnë se nuk do të thotë patjetër të jetë në trend me kohën gardëroba. Doruntina Krasniqi, studente e Fakultetit Juridik, thotë se blen diçka që e bën, thjesht, të ndihet mirë:

“Me rëndësi është të ndihem unë mirë dhe nuk është i rëndësishëm trendi, edhe pse mundohem ta përcjell trendin e kohës”.

Kurse, Flutura Xharrës, 21-vjeçare nga Gjakova, interneti i ndihmon që të jetë në hap me kohën sa i përket trendit të veshjes.

“Tash interneti po na ndihmon që të jemi në hap me modën. Por, me rëndësi është të blesh atë që të rri mirë, pavarësisht çmimit. Ndodh ndonjëherë edhe të sakrifikoj që të blej diçka edhe jashtë mundësive, duke lënë diçka mangët vetëm që ta përcjell modën”, shprehet Flutura Xharra.

E, Shpresa Lokaj, kreatore, thotë se në dyqanin ku ajo i qep kreacionet, çmimi për një fustan sillet nga 100 deri në 500 euro.

“Te ne (çmimi) sillet prej 100 deri në 500 euro për një fustan, varësisht nga modeli dhe materiali që kërkojnë”, thotë kreatorja Shpresa Lokaj.

Ndërkaq, në pyetjen tonë se sa e përcjellin trendin e veshjes të rinjtë, kreatorja Lokaj, shpjegon:

“E përcjellin, por nuk e përcjellin ashtu si duhet. Shumica e të rinjve i përziejnë kohën kur dhe ku duhet veshur një gardërobë të caktuar. Mundësitë nuk janë edhe aq, por duke i marrë parasysh kushtet financiare, kryesisht vishen mirë”.

Ndërsa, Qëndresa Tërmkolli, edhe pse nuk punon dhe familja e saj kujdeset financiarisht për të, thotë se mundohet ta përcjell trendin e veshjes.

“E përcjelli ashtu siç më përshtatet mua. Unë jam studente, studioj por edhe e përcjell, derisa familja më ndihmon financiarisht. Kurse, për të blerë gardërobë, shpenzoj shumë”, tregon Qëndresa Tërmkolli.

E, Gent Haliti, 24-vjeçar, thotë se ka shumë dëshirë të jetë trendi, andaj veshjes i kushton mjaft kujdes.

“Shumë e përcjelli, kam dëshirë të jem trendi. Shpenzoj mjaft, por për mua është e rëndësishme të blej diçka që më përshtatet, e jo që patjetër të jetë moderne”, thotë Gent Haliti, derisa Arta Harxhi, nga Peja, studente 21-vjeçare, thotë se mesatarisht në muaj shpenzon rreth 50 euro për të blerë gardërobë:

“E përcjelli mjaft, që t’i përshtatem kohës. Unë punoj dhe kam mundësi. Varet nga muaji në muaj sa shpenzoj, ndonjë muaj deri në 50 euro, e ndonjë tjetër asnjë cent”.

Por, pavarësisht trendit, stilistja Njomza Luci mendon se të rinjtë duhet të kenë stilin e vet, dhe pavarësisht kushteve financiare, mund të duken bukur dhe veçantë.

Sipas saj, nuk do të thotë që gardëroba patjetër duhet të paguhet shtrenjtë, por të rinjtë mjafton të jenë pak kreativ dhe të duken më ndryshe.

“Të rinjtë e përcjellin modën, edhe pse nuk kemi ndonjë standard të lartë financiar, por nuk mund t’i dallosh shumë prej vendeve të tjera të Evropës. Por, është diçka më e rëndësishme se moda - stili personal. Nuk duhet varur prej trendit të imponuar, sepse secili vend në botë i ka standardet dhe trendët e tij”, rekomandon stilistja Njomza Luci.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG