Ndërlidhjet

Kosova ende kusht për Serbinë

  • RFE /RL

Jelko Kacin

Jelko Kacin

Raportuesi për Serbinë i Parlamentit Evropian, Jelko Kacin, ka thënë se edhe pas marrjes së datës për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Serbia duhet të mbyllë disa çështje të hapura.

“Para se gjithash mendoj në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës, dhe hapat drastikë shtetërorë në përmirësimin e gabimeve proceduriale në rizgjedhjen e gjykatësve dhe të prokurorëve”, ka thënë mes tjerash, europarlamentari, Jelko Kacin, në një intervistë ëpr të përditshmen e Novi Sadit, Dnevnik.

Të premten e kaluar, Bashkimi Evropian ia dha Serbisë statusin e kandidatit.

Këtij veprimi i parapriu marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të bisedimeve në Bruksel, për bashkëpunim rajonal, përmes së cilës, Kosova mund të marrë pjesë në nismat rajonale.

Ka qenë Serbia, ajo që ka penguar pjesëmarrjen e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë, më 17 shkurt të 2008-ës.

Megjithatë, qeveria kosovare, për të arritur këtë marrëveshje, pranoi, që Kosova të mos përfaqësohet si Republikë e Kosovës, por me fusnotën, e cila përfshin Rezolutën 12 44 si dhe mendimin këshilldhënës për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Si shpërblim, Kosova mori premtimin për nisjen e studimit të fizibilitetit, që është hap drejt Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, të cilën shtetet e nëshkruajnë me BE-në, në kuadër të procesit të integrimit.

Marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit, sikurse edhe dhënia e kandidaturës Serbisë, është përshëndetur në masë të madhe nga liderët botërorë.

Europarlamentari, Jelko Kacin, konsideron se pas këtij hapi, Rusia më nuk është në asnjë mënyre alternativë e BE-së për Serbinë.

“Natyrisht se Federata Ruse si opsion, përkatësisht, si alternativë e BE-së, që prej dy ditësh, kur Serbia mori statusin e kandidatit, më nuk ekziston as si alternativë politike, e as demokratike apo ekonomike”, ka thënë Kacin.(a.i.)
XS
SM
MD
LG