Ndërlidhjet

logo-print
Vendimi i Brukselit për studimin e fizibilitetit për Kosovën nuk duhet të merret me shumë eufori nga lidershipi kosovar, thonë deputetët dhe analistët politikë në Prishtinë.

Duke u nisur nga përvoja e vendeve të rajonit, nga faza e studimit të fizibilitetit deri te nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (MSA), disa prej këtyre vendeve kanë pritur edhe nga pesë vjet.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, thotë se Brukseli kishte iniciuar studimin e fizibilitetit për Kosovën edhe në vitin 2009, por atëherë nuk ishin harmonizuar qëndrimet për shkak të mosnjohjes së saj nga pesë vendet anëtare të BE-së.

Haziri rikujton shumë sfida që dalin para Kosovës në kuadër të raporteve të progresit, e që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe parasheh sfida të njëjta që do të dalin edhe pas studimit të fizibilitetit.

"Raportet e progresit tregojnë fare qartë se Kosova ka probleme serioze sa i përket funksionalitetit dhe zbatimit të sundimit të ligjit, si shtylla kryesore të këtij procesi”, thotë Haziri.

Një element tjetër që pengon Kosovën në agjendën e saj të integrimeve evropiane është edhe veriu i Kosovës, thotë Haziri. Ai mendon se veriu po fshihet prapa agjendës evropiane dhe në fund do të paraqitet si një prej parakushteve politike që duhet zgjidhur për të ecur përpara drejt BE-së.

“Agjenda politike është krejt tjetër, sepse po fshihet në dialogun teknik. Agjenda politike që lidhet me përfaqësim rajonal dhe me kërkesën eksplicite të Serbisë që duhet të mbetet 12 44 (Rezoluta e OKB-së), si pjesë së paku e fusnotave në dokumentet zyrtare dhe duhet të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për veriun e Kosovës, është proces, i cili po kamuflohet me studimin e fizibilitetit dhe me agjendën evropiane”, thekson Haziri.

Njohësi i proceseve integruese, analisti Shenoll Muharremi mendon se euforia e krijuar në Kosovë me marrjen e studimit të fizibilitetit është e madhe, krahasuar me pritjet reale. Nga shembulli i vendeve të rajonit, Muharremi nuk pret një përshpejtim të ecjes së Kosovës drejt BE-së, pa plotësimin e shumë parakushteve.
Ne nuk duhet ta shohim këtë me eufori për shkak se vendet fqinje, si Shqipëria e Bosnja e Hercegovina, është dashur të presin nga pesë vjet...



“Ne nuk duhet ta shohim këtë me eufori për shkak se vendet fqinje, si Shqipëria e Bosnja e Hercegovina, është dashur të presin nga pesë vjet, prej përfundimit të studimit të fizibilitetit deri te nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Acociim. Për shembull Bosnja e Hercegovina i ka pasur 12 kushte që është dashur t’i plotësojë para se të fillojnë negociatat”, shprehet Muharremi.

Që agjenda evropiane të përshpejtohet, lidershipi kosovar duhet t’i përshpejtojë reformat e brendshme, vlerëson analisti Shenoll Muharremi. Para së gjithash, reformat kanë të bëjnë me sundimin e rendit dhe ligjit.

“Nuk është duke u bërë fjalë që të nënshkruhet kjo marrëveshje nesër, e as vitin e ardhshëm, por thjesht është hapur perspektiva, do të fillohet me këtë studim dhe nëse studimi përfundon, diku në tetor në kohën kur publikohen rezultatet e Raportit të Progresit, me siguri do të thotë që Kosova ka bërë përparime, por duhet t’i adresojë këto parakushte në mënyrë që të fillojë negociatat për Marrëveshje për Stabilizim-Asociim”, vlerëson Muharremi.

Pas kthimit nga Brukseli, kryeministri Hashim Thaçi pati deklaruar se vendimi për studimin e fizibilitetit paraqet sukses të madh për Kosovën. Ndërkaq ishte pajtuar se ky studim është vetëm hapi i parë, ngase rruga deri te nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe integrimi në BE, do të jetë e gjatë dhe përplot sfida.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG