Ndërlidhjet

ST: Putini do të fitojë, por koha e tij po ikën


Vlladimir Putin

Vlladimir Putin


“ Sunday Times ”

Vlladimir Putin do të zgjidhet president në një mandat të tretë të dielën. Normalisht, parashikimet zgjedhore, janë të mbështjella me fije dyshimi.

Kush, në fund të fundit, mund ta dijë se çka do të vendosin të bëjnë votuesit para kutisë së votimit?

Në rastin e Rusisë, dyshime të tilla nuk janë të nevojshme.

E ashtuquajtura “demokracia e menaxhuar” siguron rezultatin e “duhur”.
Zgjedhjet zakonisht janë manipuluar dhe sfidat legale për të denoncuar mashtrimet zgjedhore janë refuzuar nga gjykatat. Secila nga 38 rastet e zgjedhjeve parlamentare të 4 dhjetorit është hedhur poshtë nga Gjykata e Qarkut e Moskës.

Kandidatët që mund ta sfidonin Putinin, janë penguar që të garojnë, ose vetë kanë marrë vendim që të mos marrin pjesë në një proces të çalë.

Prandaj, ai do të kthehet në Kremlin, por jo triumfues - edhe pse s’ka dyshim se ai do të mundohet që ta portretizojë fitoren në këtë mënyrë - por si përfitues i sistemit të tij të korruptuar.

Gjashtë vjetët e ardhshëm të Putinit duken lajm i keq. Një president që është më i shqetësuar për imazhin e tij publik, sesa për të mirën e vendit, do të kthehet në pushtet.

Rusia ka potencial enorm (jo më kot gjendet në grupin BRIC, së bashku me Brazilin, Indinë e Kinën), por do të përpiqet për një rritje të qëndrueshme më shumë sesa për përfitimet nga çmimet e larta të naftës.

Në shtetin antireformist të Putinit, biznesmeni që kundërshton qeverinë rrezikon të burgoset, siç ishte fati i Mihajl Kodorkovskit, ish-kreut të kompanisë së naftës, Yukos.

Të tjerët do të duhet të merren me korrupsionin e shfrenuar dhe me zyrtarët që nuk kanë respekt për sundimin e ligjit.

Rusia do të vazhdojë të mbështesë regjimet, si ai i Bashar al-Asadit në Siri. Putini do të përpiqet që të ndezë kujtimet e luftës së ftohtë me retorikë anti-perëndimore dhe anti-amerikane, duke i protretizuar kundërshtarët e tij si kundërshtarë të Rusisë.

Batica, megjithatë ka ndërruar drejtim. Madje, edhe në zgjedhjet e manipuluara të dhjetorit, partia Rusia e Bashkuar e Putinit ishte dëshmitare e rënies në 49.5 për qind, nga 64 për qind, sa ishte votuar katër vjet më parë. Protestat që pasuan zgjedhjet, përfshirë, njërën në të cilën morën pjesë 100 mijë njerëz në Moskë, një muaj më parë, tregojnë se njerëzit janë të shqetësuar.

Një rrëfim tashmë i njohur po del në pah. Sikurse edhe në shtetet tjera, interneti dhe Twitter-i po sjellin një ndërgjegjësim të ri, të cilin madje edhe censura s’e ndalon dot. Klasa e mesme dëshiron fundin e korrupsionit dhe kriminalitetit, që kalon nëpër qeverinë ruse. Ata nuk ndalen lehtë. Putini mund të jetë dinosauri i fundit rus. Zgjedhja e tij të dielën, nuk do t’i japë fund presionit për një Rusi të re, të ndershme dhe demokratike. Presioni do të rritet.(a.i.)
XS
SM
MD
LG