Ndërlidhjet

Obama nuk përjashton opsionin ushtarak ndaj Iranit


Presidenti amerikan, Barak Obama

Presidenti amerikan, Barak Obama

Presidenti amerikan Barak Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë të sulmojnë Iranin me forcë ushtarake për ta penguar nga zhvillimi i armëve bërthamore, por ai tërhoqi vërejtjen se “bisedat e shumta për luftën” vetëm sa i kanë ndihmuar Iranit dhe kanë ngritur çmimin e naftës.

Duke folur para një grupi të fuqishëm lobimi pro-izraelit, Obama i apeloi edhe njëherë Izraelit, që t’iu japë kohë sanksioneve të japin efektin e tyre.

“Kam thënë se sa i përket pengimit të Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore, nuk heq asnjë opsion nga tavolina dhe kur them këtë, e mendoj vërtetë. Kjo përfshin të gjitha elementet e pushtetit amerikan: përpjekjet politike që kanë për qëllim izolimin e Iranit; përpjekjet diplomatike për të ruajtur koalicionin tonë dhe për të siguruar se programi iranian është duke u monitoruar; përpjekjet ekonomike për të vendosur sanksione dhe po, përpjekjet ushtarake për t’u përgatitur për të paparashikuarën”, tha Obama.

Më herët, ministri i Jashtëm i Izraelit tha se dështimi i komunitetit ndërkombëtar për ta ndalur dhunën në Siri, tregon se nuk mund ta mbrojë as Izraelin.

Avigdor Liberman tha se paaftësia e liderëve ndërkombëtarë dhe punëtorëve humanitarë për të ndalur apo zbutur “vrasjet sistematike të civilëve të pafajshëm” në Siri "i sfidon të gjitha premtimet e komunitetit ndërkombëtar se ata janë përgjegjës për sigurinë tonë”.

Izraeli është i shqetësuar se Irani mund të jetë duke zhvilluar armë bërthamore, të cilat do t’i përdorte kundër shtetit izraelit.

Irani këmbëngul se reaktorët bërthamorë të tij janë për kërkime mjekësore dhe për energji.

Ndryshe, Obama takon të hënën në Uashington kryeministrin izraelit Benjamin Natanjahun.
XS
SM
MD
LG