Ndërlidhjet


Kultura dhe arti në Kosovë vazhdojnë të mbeten si segmente të fundit të përkujdesjes qeveritare në vend, dhe margjinalizimi i tyre po vazhdon të ndikojë negativisht në zhvillimin dhe kultivimin e tyre, vlerësojnë ish-drejtuesit e institucioneve qeveritare dhe të kulturës, aktualisht pjesëtarë të komunitetit të artistëve.

Kompozitori Valton Beqiri, ish ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thotë se një numër i artistëve kosovarë, në pozita individuale, kanë arritur suksese të barabarta me të arriturat bashkëkohore në zhvillimet e përgjithshme kulturore.

Por, sipas tij, ngecja më e madhe vërehet në situatat që kanë të bëjnë me grupe të artistëve dhe institucione të artit, të cilat, sipas tij, kryesisht janë të kufizuara që zhvillimin e kulturës dhe artit ta bëjnë vetëm për, siç e quan ai, konsumin e brendshëm.

Besoj që edhe një hendikep, kushtimisht të themi, është që ne vetëkënaqemi me kërkesat lokale. Pra, jemi të lumtur në çoftë se ndonjë rreth shumë të ngushtë, qoftë të Kosovës apo Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe rajonit, kemi një të arritur dhe kurrsesi nuk aspirojmë që ky kualitet dhe këto kërkesa të jenë të nivelit botëror. Mendoj që ndoshta është një situatë, e cila po ashtu ndikon në ngadalësimin e zhvillimit të përgjithshëm kulturor, në të gjitha fushat”.

Dramaturgu Arian Krasniqi, ish-drejtor i Teatrit Kombëtar të Prishtinës, vlerëson se zhvillimet kulturore dhe artistike në Kosovë nuk mund të shihen si të veçuara nga zhvillimet e përgjithshme ekonomike, sociale dhe politike, të cilat kanë probleme, ngecje dhe sfida të mëdha.

Sipas tij, edhe zhvillimet kulturore kalojnë nëpër sfidat e njëjta, por problemet e kësaj fushe ai i sheh si pasojë e qasjes jo të duhur nga ana e qeveritarëve.

Problemi te kultura, në përgjithësi në Kosovë, qëndron te mosgatishmëria e niveleve apo institucioneve qeverisëse që kulturën, përfundimisht, ta zhvendosin nga pika e fundit e prioriteteve, në disa pikë më lart. Kjo do të thotë që të analizohet ose të gjenerohet një vullnet për të mbështetur kulturën dhe artin në Kosovë, në të gjitha sferat e krijimtarisë, e veçmas krijuesit e rinj”, shprehet Krasniqi.

Ndryshe, të dy këta përfaqësues të komunitetit të artistëve, vlerësojnë se në zhvillimin e kulturës dhe krijimtarinë artistike në Kosovë, mbetet ende problem, siç thonë ata, përzierja e politikës në kulturë dhe art apo politizim i tyre.

Ish-ministri Beqiri thotë se politika ndikon në përzgjedhjen e njerëzve për të drejtuar institucionet e kulturës dhe artit, por edhe në motivimin e krijuesve të artit.

Politika ka mundësi të ndikimit. Në përgjithësi, mund të themi se ka politizim të kulturës në vendin tonë. Pra, mendoj se ndikimi politik në krijimtari është te krijuesit, të cilët për kah profesioni i tyre nuk janë ndoshta në nivel të dëshirueshëm dhe mundohen përmes temave të ndryshme, qoftë edhe politike, të arrijnë një sukses, i cili, natyrisht, është shumë afatshkurtër”, thotë Beqiri.

Por, dramaturgu Krasniqi thotë se ndikimi i politikës në kulturë dhe politizimi i saj, nuk është një fenomen me të cilin ballafaqohet vetëm Kosova, por edhe vendet e rajonit.

Sipas ti, struktura se si sot është organizuar jeta kulturore në vend, është strukturë që i takon sistemeve të kaluara, sepse Kosova, siç thotë ai, shquhet për një centralizëm të qeverisjes kulturore, që nënkupton se e gjithë sfera kulturore drejtohet nga Ministria e Kulturës.

E gjithë kjo, sipas tij, reflekton edhe politizim të kulturës.

Unë them që reflektohet, sepse me qeverisjen që bëhet në aspektin kulturor, me kriteret dhe kushtet për të gjetur mbështetje për një projekt të caktuar, kufizohet edhe imagjinata. Këtu ka procese, për shembull, në sfera të ndryshme kulturore, që përcaktojnë edhe tematike për një proces garues në një sferë kulturore, në film, teatër, letërsi apo arte pamore. Përcaktimi i tematikës apriori nga institucionet e ndryshme qeveritare nënkupton edhe rrudhje të imagjinatës, sepse të fut brenda kornizës që duhet ta krijosh këtë vepër mbi këtë temë të paracaktuar më herët”, thekson ai.

Krasniqi gjithashtu ka shtuar se rregullimi i qeverisjes së kulturës dhe artit në Kosovë, krijon predispozitat për ta futur imagjinatën e krijuesve të artit brenda një kornize të caktuar, prej të cilës vështirë se mund të dilet.

Kjo kornizë, sipas tij, mund të thyhet vetëm në rast se artit dhe kulturës i jepet rasti që të frymojnë lirshëm dhe pa ndërhyrje të niveleve qeverisëse.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG