Ndërlidhjet

Përfaqësuesit e bizneseve nuk lejohen të hyjnë në Serbi


Ilustrim
Ilustrim
Autoritetet policore serbe nuk kanë lejuar përfaqësuesit e Aleancës Kosovare të Biznesit që të kalojnë kufirin Kosovë-Serbi, në vendkalimin kufitar tek Dheu i Bardhë.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, i tha Radios Evropa e Lirë se qëllimi i kësaj vizite në Luginën e Preshevës ka të bëjë me promovimin e javës së biznesit.

“Aleanca Kosovare e Biznesit me një delegacion nga Kosova, i përbërë nga 16 persona, është nisur sot në promovimin e javës së biznesit në Luginën e Preshevës në bashkëpunim me komunën e Preshevës dhe komunën e Bujanocit. Në pikën kufitare tek Dheu i Bardhë nuk na është lejuar të kalojmë. Pa asnjë arsyetim, nuk jemi lejuar të hyjmë. Për një gjë të tillë kemi njoftuar institucionet shtetërore të Kosovës”, theksoi Shahini.

Shahini theksoi se nuk kanë marrë përgjigje zyrtare se përse nuk u lejohet kalimi, por sipas tij, "një polic serb u ka thënë se pa urdhër të institucioneve të Beogradit zyrtarë, hyrja e këtij delegacioni nuk do të lejohet".

Delegacioni i Aleancës Kosovare të Biznesit i përbërë prej 16 personave ende janë duke pritur në pikë kalimin kufitar Kosovë- Serbi.
XS
SM
MD
LG