Ndërlidhjet

Riprivatizimi me metodë të rregullt


Një kompani në Kosovë...
Një kompani në Kosovë...
Disa ndërmarrje të privatizuara me metodën e spin-off-it special, deri më 15 mars, duhet t’i përmbushin obligimet e marra në bazë të kontratës, në të kundërtën do t’u merren aksionet.

Kështu ka vendosur Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, pasi ka konstatuar se pesë ndërmarrje, të cilat janë privatizuar më këtë metodë, kanë bërë shkelje të rëndë të zotimeve, thonë përfaqësues të kësaj agjencie.

Për këtë çështje, bordi i AKP-së, ka formuar një grup punues dhe ka mbajtur takime me poseduesit e kontratave, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga situata në të cilën gjenden blerësit e ndërmarrjeve.

Naser Osmani, udhëheqës i këtij grupi, njëherësh nënkryetar dhe drejtor në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për Radion Evropa e Lirë thotë se ky vendim është marrë më 16 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa zbatimi fillon më 15 mars.

Ne kemi zhvilluar shumë takime. Më 15 mars, vendimi fillon të ekzekutohet për ato kompani, të cilat grupi punues vlerëson që nuk kanë bërë asnjë lëvizje pozitive në këtë drejtim. Ne kemi hipotekën dhe e kemi të regjistruar si ‘Ndërmarrje e Re’; do të thotë kemi të drejtën e kthimit të aksioneve në gjendjen e mëhershme siç kanë qenë”, thotë Osmani.

Ndërmarrjet të cilat rrezikohen nga marrja e aksioneve janë: Ndërmarrja e Re “MIM Golesh”, Ndërmarrja e Re “XIM Strezovc”, Ndërmarrja e Re “IDGJ Tobaco”, “Grand Hotel” dhe Ndërmarrja e Re “Agrokosova Holding”.

Procedura e spin-off-it special nënkupton që blerësi nuk ka të drejtë të ndryshojë veprimtarinë e ndërmarrjeve, duhet të punësojë një numër të caktuar punëtorësh dhe të realizojnë investime të reja.

Por, kjo metodë nuk praktikohet më, që nga shuarja e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit.

Lidhur më këtë, Naser Osmani thotë se ri-privatizimi i tyre do të realizohet me spin-off të rregullt

Nëse nuk ka pengesa apo ndalesa gjyqësore prej Odës se Veçantë, atëherë ne fillojmë me përgatitjen për shitje të rregullta, jo më me shitje spin-off special. Kjo, pasi që ligji i ri për AKP-në, nuk parasheh më shitje me spin-off special”, shprehet Osmani.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se në mungesë të procedurës se spin-oof-it special, autoritetet kompetente duhet të bëjnë analiza me qëllim që të gjenden mënyra për ri-privatizim, por më kushte të caktuara, të cilat nuk lejojnë ndërrimin e veprimtarisë se kompanive në fjalë.

Musa Limani, profesor në fakultetin ekonomik, thotë se spin-off-i special sjell më shumë rezultate ekonomike, por megjithatë, ai thekson se më i dobishëm është privatizimi, se sa mosfunksionimi i tyre.

AKP-ja edhe te spin-off-i normal duhet të kërkojë që disa gjëra të mbesin, numri i punëtorëve, investimet, nuk duhet të ndërrohet destinimi, do të thotë nuk mundet të shndërrohet ‘Grandi’, po e zëmë në depo, kurse minierat të ndërrojnë destinimin e tyre”.

Duhet të bëhet një analizë, dhe të vendosnin në pikëpamje profesionale dhe politike, cili është interesi i Kosovës që të privatizohen ndërmarrjet që kanë mbetur pa u privatizuar”, thekson Limani.

Ndryshe, që nga viti 2005, kur ka ndodhur privatizimi i parë me metodën e spin-off-it special, e deri më tani janë shitur 24 ndërmarrje.
XS
SM
MD
LG