Ndërlidhjet

Ratifikimi i marrëveshjeve, i (pa)nevojshëm


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Ligjvënësit kosovarë kanë shumë paqartësi dhe dilema në lidhje me marrëveshjet ndërkombëtare që duhet të ratifikohen në Kuvend dhe ato që nuk kanë nevojë për procedura të tilla.

Çështja e ratifikimit është potencuar sidomos në raport me marrëveshjet e arritura në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Opozita në disa raste ka kritikuar qeverinë për mënyrën se si i ka prezantuar herë si marrëveshje, e herë si konkluzione.

Sidoqoftë, asnjë nga këto marrëveshje, nuk ka kaluar ratifikimin në Kuvend.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Behar Selimi, thotë se ka mirëkuptim për kërkesat e opozitës, por ai mendon se ende nuk është sqaruar mirë çështja e marrëveshjeve që duhet në ratifikohen.

Ndërkaq, nuk pajtohet me pohimet se qeveria po u bishtnon ratifikimit të këtyre marrëveshjeve.

Natyrisht mendoj që çdo marrëveshje, e cila, sipas Kushtetutës duhet të ratifikohet do të duhej të kalonte këtë procedurë. Por, këto marrëveshje, akoma nuk e dimë juridikisht në duhet apo jo të ratifikohen në Kuvend. Mënyra në të cilën janë zhvilluar bisedimet teknike dhe si do të zhvillohen në të ardhmen ka kërkuar që të diskutohet me këtë metodologji, prandaj nuk e konsideroj si përpjekje për bishtnim”, thotë Selimi.

Një qëndrim krejt ndryshe nga Selimi, ka deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo thotë se të gjitha marrëveshjet në dialogun Prishtinë – Beograd janë të natyrës politike dhe si të tilla do të duhej të ratifikoheshin.

Në të kundërtën, Osmani i tërheqë vërejtjen qeverisë se mosratifikimi i tyre nënkupton që nuk ka marrëveshje fare.

Deri tani, fatkeqësisht Qeveria e Kosovës, marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë nuk i ka sjellë në Kuvend përkundër insistimit të Kuvendit, sepse këto çështje vërtetë kanë qenë politike, prandaj edhe kanë hyrë në kategoritë e parapara të nenit 18 të Kushtetutës. Sa kemi dëgjuar ne, tash do të ketë disa marrëveshje që do të nënshkruhen, pra do ta kenë edhe firmën dy shteteve në dialog dhe kjo është një arsye më tepër që ato të vijnë domosdo në Kuvend për ratifikim”, thotë Osmani.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini thotë se Kuvendi duhet të konsultohet me Zyrën Ligjore në lidhje me marrëveshjet që duhet dhe ato që nuk kanë nevojë të ratifikohen.

Përndryshe, Gjini mendon se ratifikimi i marrëveshjeve është i domosdoshëm pasi që me këtë mënyrë ato marrin karakterin shtetëror dhe i ikin karakterit partiak.

Ratifikimi gjithmonë e ka një kuptim që marrëveshjet të kenë një karakter ekstra-partiak, do të thotë që të mos nënkuptohen si marrëveshje vetëm të një qeverie, por të nënkuptohen si marrëveshje të cilat i ka bërë shteti të cilat do të respektohen pavarësisht se kush është në pushtet. Kjo është esenca e ratifikimit. Mendojmë se të gjitha marrëveshjet me karakter afatgjatë duhet të ratifikohen pasi që nuk mund të lejojmë që të ndodhë që një qeveri të pajtohet me një çështje, e qeveria tjetër ta kundërshtojë”, thotë Gjini.

Me Kushtetutën e Kosovës parashihet që marrëveshjet që përfshijnë çështjet politike, ushtarake, kufijtë, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare e të tjera duhet të ratifikohen me votat e dy të tretave të deputetëve në Kuvend.

Sa u përket marrëveshjeve me Serbinë, megjithatë mbetet që të sqarohet karakteri i tyre, pasi që ato në shumë raste janë prezantuar vetëm si konkluzione të ndërmjetësuesit, në këtë rast përfaqësuesit të BE-së.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG