Ndërlidhjet

U vazhdohet mandati strukturave paralele?


Flamuri i Serbisë - veriu i Mitrovicës/ foto nga arkivi

Flamuri i Serbisë - veriu i Mitrovicës/ foto nga arkivi

Edhe dy muaj deri në afatin e paraparë ligjor do t’i ketë Qeveria e Serbisë për caktimin e datës për zgjedhjet parlamentare dhe lokale dhe për vendimin se a do të organizohen ato edhe në territorin e Kosovës.

Deri në marrjen e një vendimi definitiv për këtë çështje, ekzekutivi serb thuhet se është duke i shqyrtuar “me kujdes” modalitetet për procesin elektoral në një pjesë të komunave të vendit.

Me gjithë insistimin e autoriteteve vendore e ndërkombëtare që Kosova të përjashtohet nga zhvillimi i zgjedhjeve lokale serbe, në Beograd thonë se do të duhej të respektohej Kushtetuta e Serbisë e cila, siç thuhet, parasheh që ato të organizohen edhe në Kosovë.

Sekretari shtetëror në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, tha se zyrtarëve komunalë, në diku katër nga 29 komunat, mandati u zgjatë deri në vitin 2014 meqë në këto komuna, siç rikujton ai, në vitin 2010 kishte pasur zgjedhje të jashtëzakonshme.

Për ato që mbesin, do të thotë për diku 25 komuna, duhet të gjendet një zgjidhje. Megjithatë, nuk mund të spekuloj se cili do të jetë vendimi përfundimtar”, u shpreh Ivanoviq duke mos hedhur poshtë mundësinë që për komunat në fjalë të ketë një vazhdim të mandatit.

Mirëpo, njohësit e rrethanave politike në Prishtinë vlerësojnë se me vazhdimin e mandatit të komunave do t’u vazhdohej mandati strukturave ilegale serbe që njihen si struktura paralele të Serbisë në Kosovë.

Ardian Arifaj nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), tha se Prishtina zyrtare dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të kundërshtojnë fuqishëm mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, ndërsa duhet të krijohet hapësira për mbajtjen e zgjedhjeve të organizuara nga autoritetet kosovare në veri të vendit.

Prishtina duhet ta thotë qartë që nuk lejohet as zgjatja e mandateve e as mbajtja e zgjedhjeve, por duhet menjëherë të krijohet hapësira për t’i gjetur liderët politikë që do të dalin prej zgjedhjeve që organizohen bazuar në ligjet e Kosovës. Shpresojmë që, këtë herë, bashkësia ndërkombëtare nuk do të tërhiqet nga vendimi në kërkesën për mosmbajtjen e zgjedhjeve në veri dhe largimin e prezencës së saj nga veriu dhe në krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të Kosovës në territorin e pjesës veriore të Kosovës”, theksoi Arifaj.

Rëndësinë që Serbia të normalizojë raportet me Kosovën e theksuan, ditë më parë, diplomatët evropianë.

Pas marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, qeveria serbe thuhet se do të jetë e detyruar të angazhohet më tej në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd nëse synon të marrë, sa më parë, datën për nisjen e negociatave për anëtarësim.

Arifaj flet për një strategji të “ndryshimeve kozmetike” mbi bazën e së cilës, sipas tij, ka vepruar deri më tani Beogradi karshi Kosovës.

Ajo është strategji e vazhdueshme e Serbisë. Asnjëherë nuk tërhiqet krejtësisht; të gjitha ndryshimet i ka pak a shumë kozmetike vetëm sa për t’u dukur bukur para Brukselit, por në esencë asnjëherë nuk ka bërë ndryshime thelbësore çfarë kërkohen në Kosovë”, tha ai.

Deri sa Serbia i cilëson struktura të saja legjitime përbërjet e komunave që dolën nga zgjedhjet e fundit serbe në vend, Prishtina i pat shpallur të pavlefshme rezultatet e atyre zgjedhjeve.

Autoritetet kosovare i kanë quajtur ilegale dhe anti-kushtetuese zgjedhjet e paralajmëruara të Republikës së Serbisë në territorin e Kosovës duke thënë se ato nuk do të prodhonin asnjë efekt ligjor.
XS
SM
MD
LG