Ndërlidhjet

WSJ: Rasti për armatosjen e opozitës në Siri


Siri...

Siri...

“ Wall Street Journal”


Shkruajnë: Mark Pallmer, anëtar i Bordit të Freedom House dhe ish-ambasador i SHBA-së në Hungari, dhe Poll Uollfouic, studiues, ish-zëvendëssekretar amerikan i Mbrojtjes dhe ish-ambasador i SHBA-së në Indonezi.



Ndërsa dhuna në Siri vazhdon, Shtetet e Bashkuara janë në rrezik të përsërisin gabimin e njëzet vjetëve më parë, kur refuzuan të armatosin boshnjakët. Ne i lëmë ata në mëshirën e milicisë serbe për tre vjet të tmerrshëm, derisa – pas Masakrës së Srebrenicës dhe mijëra të vdekurve – NATO u detyrua të ndërhynte drejtpërdrejt dhe të dërgonte 60,000 paqeruajtës.

Për të shmangur një skenar të tillë në Siri, duhet të ekzistojë një mënyrë. Megjithatë, derisa Irani, Rusia dhe Kina mbështesin fuqishëm brutalitetin e Bashar al-Asadit, SHBA duket të jetë e zonja për asgjë më shumë se sanksione dhe dënime retorike - çfarë nuk do ta nxisnin regjimin sirian të dorëzonte pushtetin.

Me sa duket kjo është edhe arsyeja përse Burhan Ghalioun, udhëheqësi i Këshillit Kombëtar të Sirisë, ka deklaruar se konferenca “Miqtë e Sirisë” në Tunis, “nuk i ka përmbushur aspiratat e popullit sirian”.

Ndonëse SHBA ka konstatuar se dhuna e regjimit të Asadit kundër popullit të tij tejkalon çdo gjë që mund të tolerohet, ne jemi paralizuar nga frika se ndërhyrja për të forcuar opozitën do ta përshkallëzonte dhunën dhe do ta linte Sirinë e post-Asadit më të shkatërruar.

Forcimi i opozitës siriane nuk është pengesë për një fund paqësor të konfliktit. Përkundrazi, një gjë e tillë do të mund të ishte mënyra e vetme për të arritur paqen. Opozita siriane ka nevojë për një gamë të gjerë të mbështetjes morale, politike dhe materiale.

Mbështetja morale është e rëndësishme. Njohja nga bota, e në veçanti nga demokracitë kryesore, e heroizmit të popullit sirian, mund ta inkurajojë atë që të vazhdojë luftën për avantazhet e tjera.

Mbështetja politike dhe angazhimi aktiv me të gjitha elementet e opozitës janë po ashtu të rëndësishme, sidomos nëse i ndihmojnë opozitës të bindin të tjerët, si minoritetet e krishtera dhe alavite, se do të jenë të sigurt në Sirinë e post-Asadit.

Por, mbështetja morale dhe politike nuk janë zëvendësim i mbështetjes materiale. Lëvdatat dhe inkurajimet janë boshe nëse Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera dështojnë t’iu sigurojnë sirianëve edhe gjërat më të thjeshta, si furnizimet mjekësore.

Premtimi për ndihmë materiale, përfshirë atë financiare, duhet ta bindë opozitën të bashkohet pas një programi koherent politik. Në mungesë të një mbështetjeje të tillë, opozita tashmë ka nisur të copëtohet.

Mbështetja materiale përfshin më shumë se armë. Ndoshta nevoja më urgjente është për pajisjet e komunikimit dhe të teknologjisë. Regjimi i Asadit e di këtë dhe bën gjithçka të mundur për të bllokuar komunikimet ndërmjet grupeve opozitare, ashtu si edhe raportimet e lajmeve. Shtetet e Bashkuara kanë aftësi të jashtëzakonshme në këtë fushë, të cilën duhet ta përcjellin.

Derisa detajet e këtyre aftësive nuk mund të diskutohen publikisht, mund të bëhet publike se SHBA ndihmon në komunikime opozitën. Por, për fat të keq, heshtja zyrtare në këtë temë sugjeron se ne nuk po e ndihmojmë atë.

Mbështetja financiare dhe furnizimet mjekësore po ashtu janë të rëndësishme. Pas afro një viti dhe mijëra viktimave, vazhdon të mos ketë përpjekje të organizuara për të siguruar ndihmë mjekësore në shkallën që është e nevojshme.

Është shaka mizore të thuhet se Kombet e Bashkuara presin marrëveshjen për armëpushim, për të dorëzuar ndihmat.

Mbështetja materiale duhet të përfshijë edhe armë. Kjo nuk nënkupton tanke, artileri apo armë të tjera që do të mund ta përshkallëzonin dhunën. Opozita ka nevojë për armë mbrojtëse, për të mbrojtur popullin e saj, sidomos dezertorët e ushtrisë siriane.

Nëse opozita mbetet e dobët, ne mund të përfundojmë duke u përballur me zgjedhjen në mes të ndërhyrjes ushtarake – siç është bërë e nevojshme në Libi – dhe të ndenjurit duke shikuar dhe duke mos bërë asgjë, derisa regjimi sirian përsërit tmerrin e Srebrenicës.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, duhet të japë më shumë, sesa të thotë “opozita siriane do t’i gjejë mjetet për të mbrojtur veten e saj”, ashtu siç tha muajin e kaluar. Për dallim nga kjo, ministri i Jashtëm saudit, Saud al Faisal, tha se armatosja e opozitës “është një ide e shkëlqyeshme”.

Dhe, është. SHBA ka kapacitet të pakrahasueshëm për të trajnuar, pajisur dhe organizuar forcat vendase. Shfrytëzimi i kësaj aftësie, së bashku me aleatët tjerë të NATO-s, në mbështetje të opozitës siriane, mund t’i japë fund më të shpejtë konfliktit, si dhe të ndihmojë në reduktimin e dhunës dhe të ekstremizmit që do të pasonte.(v.t.)
XS
SM
MD
LG