Ndërlidhjet

Prishtina kërkon nga Beogradi "sjellje evropiane"


Mbledhja e kabinetit të Qeverisë së Kosovës

Mbledhja e kabinetit të Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës i kërkoi Beogradit zyrtar që të ketë “sjellje evropiane” karshi rajonit-përfshirë Kosovën, që të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të mos ndërhyjë në punët e brendshme të shtetit.

Këtë kërkesë e bëri të ditur zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, duke komentuar synimin e Serbisë për t’i mbajtur zgjedhjet lokale edhe në territorin e Kosovës.

Ai i quajti ilegale dhe të pavlefshme në aspektin juridik zgjedhjet që nuk organizohen nga institucionet shtetërore të vendit.

Çdo palë që organizohen zgjedhje jashtë institucioneve tona janë ilegale dhe pa fuqi juridike”, theksoi zëvendëskryeministri Kuçi pas mbledhjes së radhës së ekzekutivit të vendit.

Bashkësia Ndërkombëtare i ka kërkuar vazhdimisht shtetit serb që të mos planifikojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, ndërsa ka theksuar rëndësinë e zhbërjes, sa më parë, të strukturave paralele serbe në vend.

Përmirësimi i raporteve me Prishtinën zyrtare u bë, së fundi, parakusht për avancimin evropian të Serbisë.

Megjithatë, zyrtarët serbë njoftuan, një ditë më parë, se zgjedhjet lokale do të mbahen “në të gjitha mjediset ku këshilltarëve u ka kaluar mandati katërvjeçar, pavarësisht nëse janë në jug apo veri të Kosovës”.

Pas publikimit të këtij vendimi, opozita e cilësoi të udhës që Bashkimit Evropian t’i adresohet kërkesa për presion shtesë ndaj Serbisë.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, e quajti “agresion” dhe “ndërhyrje në punët e brendshme” mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e vendit.

Ne mendojmë se tani është momenti që qeveria e Kosovës të bëjë trysni në Bashkimin Evropian- meqë ka treguar gatishmëri për bisedime, që të mos lejohen këto zgjedhje në territorin e Republikës së Kosovës, sepse janë cenim i drejt për drejt i integritetit territorial”, tha ai.

Mirëpo, i pyetur nëse Bashkimi Evropian do të duhej ta ndëshkonte shtetin serb në rrugën e tij evropiane për shkak të këtij zhvillimi, Kuçi u shpreh:

Kosova s’e ka logjikën që t’u krijohen pengesa të tjerëve, ndërsa të tjerëve u kërkon që të mos e pengojnë Kosovën. Kjo është logjika jonë; ky është shteti ynë; ky është funksioni ynë. Nuk e kemi ndërmend ta dëmtojmë krejt rajonin për veprimet e të tjerëve”, tha ai.

Zgjedhjet lokale të Serbisë planifikohet të mbahen në të gjitha komunat në Kosovë me përjashtim të atyre, në të cilat zyrtarëve komunalë vlerësohet t’u vlejë mandati deri në vitin 2014 - mandat ky që thuhet se buron nga zgjedhjet e jashtëzakonshme serbe të vitit 2010.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG