Ndërlidhjet

Putini dhe Bashkimi Euro-aziatik

  • RFE /RL

Një falmur me portretin e Vlladimir Putinit

Një falmur me portretin e Vlladimir Putinit

Kur kryeministri rus, Vladimir Putin, i bëri publike synimet e tij për t’u kthyer në Kremlin, vjeshtën e vitit të kaluar, një nga artikujt e parë programor që kishte publikuar, i ishte kushtuar në tërësi vizionit të tij për një Bashkim Euro-aziatik.

Ne sugjerojmë një shoqatë të fuqishme mbikombëtare, të aftë për t’u bërë shtyllë në botën moderne dhe për të shërbyer si urë efikase midis Evropës dhe rajonit të Azi-Paqësorit”, kishte shkruar Putin në gazetën “Izvestia”, në tetor të 2011-ës.

Tani që Putini po kthehet në Kremlin edhe për gjashtë vjet të tjerë, e ndoshta edhe për 12, ky projekt duket i destinuar për një infuzion të ri të energjisë. Me gjithë urimet zyrtare që janë bërë nga kryeqytetet e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, anëtarët e kësaj të fundit janë vërtet të shqetësuar nëse integrimi mund të bëhet në mënyrë të barabartë.

Kjo çështje duket qartë se është e rëndësishme për Putinin. Vetëm dy javë pas publikimit në “Izvestia”, ai ishte nikoqir i takimit të kryeministrave nga Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgizia, Moldavia, Taxhikistani dhe Ukraina dhe bëri publike marrëveshjen për të formuar një zonë të lirë tregtare, pas disa viteve të negociatave të pafrytshme.

Ne do t’i hapim tregjet tona për njëri-tjetrin, çfarë do të thotë se mallrat do të sillen në tregjet tona me çmime më të ulëta. Një gjë e tillë do të ofrojë kushte më të mira për fillimin e iniciativave të përbashkëta. Të gjitha këto, natyrisht, rrisin konkurrencën e të gjitha ekonomike tona”, kishte thënë Putin.

Putini e sheh integrimin euro-aziatik si mënyrë për të çimentuar statusin ndërkombëtar të Rusisë, thotë shkencëtari politik, Mars Sariev.

Pas zgjedhjeve, unë mendoj se Putini do të bëjë përpjekje të realizojë vizionin e tij për modelin euro-aziatik. Dhe kështu, Rusia do të ndjekë raporte shumë të ngushta me Kirgizinë, do ta shtyjë atë t’i bashkohet Unionit Doganor dhe Bashkimit Euro-aziatik. Nëse Rusia nuk arrin të përqafojë anëtarët e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, atëherë do të dështojë. Do të jetë vetëm oborr i Evropës ose burim i lëndëve të papërpunuara për Kinën. Nuk ka rrugë tjetër për Rusinë”, thotë kirgizi Sariev.

Në manifeston e tij në “Izvestia”, Putin kishte theksuar se Rusia nuk e ka ndërmend “të nxitojë askënd”. “Shtetet duhet të nënshkruajnë nismën në bazë të interesave të tyre kombëtarë afatgjatë”, kishte thënë Putin.

Por, vendet në tryezën e bisedimeve ndjejnë sikur “interesat e tyre kombëtarë” manipulohen nga fqinji i tyre i madh. Së fundmi, Moska ka ndaluar importimin e djathit nga Ukraina - një hap ky që ishte parë si orvatje për të ushtruar presion mbi Kievin, që ky i fundit të pajtohet për “integrimin e madh” dhe të ngadalësojë përpjekjet për të lëvizur më pranë Bashkimit Evropian.

Ligjvënësi ukrainas, Oleh Zarubinski, anëtar i grupit ndërparlamentar Rusi-Ukrainë, pret që Moska të vazhdojë të sillet ashpër me Ukrainën.

Gjatë viteve të fundit, Dimitri Medvedev ka qenë në Kremlin, por çështjet kryesore të politikës ruse janë përcaktuar de facto nga Putini. Andaj, nuk mund të themi se do të ketë ndryshime themelore, apo siç thonë disa njerëz, ndryshime tektonike. Putini ka stilin e tij – politika të ashpra dhe pragmatike, përfshirë edhe në marrëdhëniet e jashtme”, thotë Zarubinski.

Djathi, në këtë rast, është vetëm një e shtënë paralajmëruese. Kievi e di nga përvojat e kaluara se kur Rusia do vërtet të tërheqë vëmendjen, ndërpret gazin.

Megjithatë, vizioni i Putinit do të jetë vështirë i realizueshëm edhe në Kaukaz. Vendi kryesor në këtë rajon është Azerbajxhani, i pasur me naftë. Shumë azerbajxhanas mendojnë se Medvedevi ka bërë përpjekje të sinqerta për zgjidhjen e konfliktit të Nagorno-Karabakut ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Por, për Putinin mendojnë se e sheh konfliktin si mënyrë për të rritur ndikimin e Rusisë në të dyja vendet.

Në muajt e fundit, Baku i ka tërhequr vëmendjen Perëndimit, duke kërkuar tregje direkte për gazin e tij natyror në Evropë, me qëllim që mos t’i bëjë të gjitha shitjet për Gazprom-in rus.

Në “Izvestia”, Putini kishte shkruar se Bashkimi Euro-aziatik duhet të ndërtohet mbi trashëgiminë e Bashkimit Sovjetik.(v.t.)
XS
SM
MD
LG