Ndërlidhjet

Më 2013, Kosova me ushtri


Garda e Kosovës
Garda e Kosovës
Me përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, Forca e Sigurisë së Kosovës do të shndërrohet në ushtri të shtetit, deklarojnë përfaqësuesit e Ministrisë së FSK-së dhe drejtuesit e kësaj force.

Në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë, ministri Agmi Çeku, thotë se një gjë e tillë pritet të ndodhë gjatë vitit 2013.

“Ne jemi duke u dëshmuar vazhdimisht si një forcë profesionale, forcë e disiplinuar, kredibile, e besuar nga qytetarët e Kosovës, e besueshme nga partnerët tanë nga vendet e rajonit. Dhe, të gjitha rrethanat janë në favor të kësaj. Ne jemi në pritje të kësaj qe disa vjet që nga çlirimi i Kosovës që Kosova më në fund ta ketë ushtrinë e vet ashtu si çdo vend normal që e ka. FSK-ja do të ngrihet apo do të evoluojë në forcë ushtarake konvencionale”, deklaron ministri Çeku.

Nevojën që Kosova ta ketë ushtrinë e saj e thekson edhe gjeneralmajor Kadri Kastrati. Ai bën të ditur se struktura e ushtrisë së ardhshme të vendit do të bëhet bazuar në studimet e kryera.

“Sigurisht që Kosova duhet ka ketë forcën e vet ushtarake, por misioni dhe numri do të bëhen sipas studimeve që do t’i bëjmë në muajit në vijim. Pra, FSK-ja do të shndërrohet në forcë ushtarake, sigurisht që po”, thotë Kastrati.

Plani i të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, parasheh që kufizimet, të cilat i ka FSK-ja, dikur TMK-ja, nuk mund të rishikohen para pesë vjetësh. Kosova shpalli pavarësinë e saj bazuar në këtë plan në vitin 2008. Rrjedhimit, thotë ministri Çeku, rishikimi mund të bëhet në vitin 2013.

Forca e Sigurisë e Kosovës...
Forca e Sigurisë e Kosovës...
“Ne qysh tash kemi filluar procedurën e rishikimit të FSK-së. Qeveria e Kosovës javën e kaluar mori vendim që të fillojë rishikimin strategjik të FSK-së dhe tërë sektorit të sigurisë, e ky do të jetë një studim i gjatë pothuajse një vit, apo më shumë, ku në në detaje do ta rishikojmë FSK-në dhe do të dalim me rekomandime të qarta se çfarë kapacitete duhet të ketë forca ushtarake e Kosovës, çka i nevojitet vendit. Qëllimi është që FSK-ja e sotme të ngritët dhe të zhvillohet në një ushtri konvencionale të mirëfilltë ashtu siç e kanë dhe vendet e rajonit”, shpjegon Çeku.

Ndër sfidat më të mëdha në drejtim të shndërrimit të FSK-së në ushtri, sipas Kastratit, do të jetë adoptimi i ligjeve dhe pajisja me materiale të cilësisë ndërkombëtare.

“Sfidë do të jetë adoptimi i legjislacionit në standardet dhe kushtet e ushtrive perëndimore apo të NATO-s, pastaj draftimi i një strukture, e cila do të jetë strukturë ushtarake, që do t’i plotësojë të gjitha nevojat e shtetit të Kosovës. Sfidë tjetër e radhës do të jenë gjithashtu edhe pajisjet materialo-teknike që duhet t’i ketë forca apo ushtria, nuk është me rëndësi se si do të quhet, sa është e rëndësishme, se çfarë strukture dhe misioni do të ketë”, thekson Kastrati.

Nënkryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, shpreh bindjen se faktori ndërkombëtar do të japë kontributin e tij deri në kompletimin e ushtrisë së Kosovës.

“Unë pres shumë ndihma prej faktorit ndërkombëtar, në këtë rast prej NATO-s dhe shteteve anëtare të NATO-s që do ta ndihmojnë ushtrinë e Kosovës të bëhet ushtri. Nuk pres pengesa, pres angazhime, sepse edhe angazhimi i mëhershëm i disa qeverive të caktuara në veçanti dhe të NATO-s në përgjithësi nuk ka munguar në mbështetje të FSK-së. Pra, presim që edhe FSK-ja, në partneritet të ngushtë, të domosdoshëm me shtetet e NATO-s dhe me NATO-n drejtëpërdrejt dhe me KFOR-in, do të arrijë që të jetë forca, e cila do t’i përmbushë kriteret për të qenë ushtri e Kosovës”, deklaron Selimi.

Drejtuesit e FSK-së vlerësojnë se rruga e Kosovës për në NATO do të jetë më e lehtë se sa për vendet e tjera të rajonit, pasi që FSK-ja, siç thonë ata, është formuar nga vetë Aleanca Veri-Atlantike.

Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas ligjit, është një forcë e armatosur lehtë, e dizajnuar dhe e përgatitur për të përmbushur funksionet e sigurisë që nuk i përkasin policisë apo organizatave tjera.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka 2,500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë.
XS
SM
MD
LG