Ndërlidhjet

Mësimdhënësit “e devalvuar”


Shkollë në Kosovë (Foto nga arkivi)

Shkollë në Kosovë (Foto nga arkivi)

Zilja e dorës të mërkurën, më 7 mars, ka zëvendësuar zilen me energji elektrike, për shkak të mungesës së kësaj të fundit, për të shënuar fillimin dhe përfundimin e orëve të mësimit në Shkollën Fillore “Faik Konica”, në Prishtinë.

Nxënësit kishin mësyrë klasat e tyre, ndërkohë që një numër sosh bartnin në duar dhurata modeste për mësimdhënësit e tyre, për t’ua uruar Ditën e Mësuesit, e cila po shënohet në Kosovë.

Anila Osmani, nxënëse në klasën e 6, në këtë shkollë, thotë se urimet shkojnë për mësuesit dhe arsimtarët e tyre, që, sipas saj, bëjnë shumë mund, por shpërblehen pak.

“Sot është 7 Marsi, Dita e Mësuesve, dhe unë jam shumë e lutur për këtë. Kemi sjellë dhurata për mësuesit. Kushtet janë të mira për nxënësit. Për arsimtarët ka punë shumë dhe pagat mendoj se janë tepër të vogla”, shprehet Anila Osmani.

Edhe moshatari i Anilës, Andi Vrapçani, thotë se bashkë me nxënësit tjerë, ua kanë uruar mësimdhënësve të tyre festën. Ai shpreh mendimin se mësuesit e tyre meritojnë më shumë për punën që bëjnë se sa që u shpërblehet tash.

“Kushtet nuk i kanë shumë të mira, sepse, tani që është një krizë, ata punojnë shumë, por nuk i kanë pagat aq të mira sa për t’i plotësuar kushtet ekonomike”, thotë Andi Vrapçani.

Por, mësimdhënësit e Shkollës Fillore “Faik Konica” në Prishtinë, ditën e 7 Marsit, duket se e kalojnë ashtu sikurse edhe ditët tjera, pa ndonjë ceremoni të veçantë në shkollën ku punojnë. Sapo dëgjohet kambana e dorës, ata marrin ditarët në duar dhe nisen për të mbajtur orët e mësimit.

Një nga ta është edhe Shemsi Bahtiri, arsimtar i Historisë në këtë shkollë. Ai thotë se pozita e mësuesve në ditët e sotme është pothuajse zhgënjyese dhe ka ndryshuar shumë në krahasim me të kaluarën.
Përpara është çmuar mësuesi, është vlerësuar, sepse në ditët më të vështira ka dhënë kontribut. Tash, në njëfarë mënyre është devalvuar.


“Përpara është çmuar mësuesi, është vlerësuar, sepse në ditët më të vështira ka dhënë kontribut. Tash, në njëfarë mënyre është devalvuar. Ka rënë kriteri, bashkëpunimi prind-nxënës. Vijnë vetëm kur kanë ndonjë vështirësi apo kërkesë. Gjendja materiale është afërsisht e mirë sa për të mbijetuar”, thotë Shemsi Bahtiri, arsimtari.

Bahtiri thekson, gjithashtu, se në gjithë sistemin e shkollimit në Kosovë kanë nisur reformat, por, siç thotë ai, pak gjëra kanë ndryshuar në mënyrë konkrete:

“Flitet se janë bërë reforma. Ka shumë risi, të cilat janë pozitive për avancimin e shkollës shqipe, por ato janë më shumë në letër e më pak në vepër”.

Mendim të ngjashëm jep edhe Ibe Gashi, arsimtare e Matematikës, e cila thotë se mësimdhënësit janë duke bërë përpjekje të shumta që fëmijëve t’ua bëjnë shkollën sa më atraktive dhe tërheqëse. Por, sipas saj, ende mbetet shumë për t’u bërë.

“Jemi duke u munduar që të punojmë me metoda të reja të arsimit. Po na kërkohet që të punojmë me metoda dhe teknika të reja, mirëpo ne shumë pak mund t’iu përmbahemi atyre. Kemi pak mjete ndihmëse që mundësojnë që të mbajmë procesin mësimor në atë mënyrë. Kemi numër të madh të nxënësve. Jo të gjithë arsimtarët janë të trajnuar si duhet për të mbajtur mësimin përmes këtyre metodave. Për këtë arsye, më duket se ne ende më shumë e mbajmë mësimin, ashtu siç e kemi mbajtur ne, gjeneratat që kemi qenë më herët, para viteve ‘90”, thekson Ibe Gashi.

Ndryshe, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, të mërkurën uroi të gjithë mësimdhënësit e Kosovës për 7 Marsin, ditën, që ai e quajti si shumë domethënëse për mësuesit e të gjitha niveleve në Kosovë. Ai theksoi se ministria që ai drejton, po punon në vazhdimësi për realizimin e reformave. Sipas tij, tashmë është shënuar nismë e mbarë, e cila do të vazhdojë edhe në të ardhmen, për të krijuar kushte për realizimin e tyre.
Besoj se asnjëherë nuk do të mbetet prapa çështja e pagës së arsimtarëve dhe mësuesve.


“Për çdo ditë këto kushte përjetojnë rritje. Synimi ynë është që shkolla në Kosovë të përjetojë digjitalizimin e plotë të saj. Ne kemi bërë hapa në këtë drejtim. Kemi përgatitur arsimtarë. Numri i tyre nuk është modest, por është mjaft i madh - 12 mijë e më shumë arsimtarë të përgatitur për teknologjinë informative, gjë që i përgatisim edhe për fazën tjetër të realizimit edhe teknik të digjitalizimit të shkollës. Besoj se asnjëherë nuk do të mbetet prapa çështja e pagës së arsimtarëve dhe mësuesve. Do të shkojë në proporcion me mundësitë tona financiare, por duke synuar gjithmonë pagën evropiane”, tha ministri Buja.

Sidoqoftë, zyrtarë të Arsimit thonë se mësimi fillor dhe i mesëm në Kosovë zhvillohet në 1200 objekte shkollore, në të cilat vijojnë mbi 450 mijë nxënës dhe mbi 23 mijë mësimdhënës.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG