Ndërlidhjet

Ekipi i ndihmës arrin në Homs


Homs
Homs
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se ekipi i Gjysmëhënës së Kuqe të Sirisë ka vizituar qarkun Baba Amer të Homsit.

Shefes për ndihmat humanitare të OKB-së, Valeri Amos, po ashtu i është lejuar hyrja në qarkun që është njëra nga qendrat e luftimeve në mes të ushtrisë dhe opozitës.

Zëdhënësi i Kryqit të Kuq, Hajhem Hasan, tha se, bazuar në raportimet e ekipit, shumë nga banorët kanë braktisur Baba Amerin.

Ekipi i ndihmës ka pritur dy ditë për të hyrë në zonën e shkatërruar. Nuk është e qartë se çfarë ushqimesh apo ilaçesh ka mundur të dërgojë Gjysmëhëna e Kuqe në Baba Amer.

Agjencia shtetërore e lajmeve, SANA, citon ministrin e Jashtëm sirian, Valid Mullaim, t’i ketë thënë Amosit në Damask se qeveria do të bashkëpunojë me ekipin e saj dhe “do të bëjë përpjekje për të ndihmuar civilët”.

Mullaim u ka hedhur fajin sanksioneve ndërkombëtare kundër presidentit Bashar al-Asad, për përkeqësimin e situatës humanitare në vend.

Aktivistët thonë se qindra persona kanë humbur jetën nga bombardimet në Baba Amer. Sipas burimeve të njëjta, viktima janë regjistruar edhe të mërkurën.

Siria është përfshirë nga protestat antiqeveritare qysh në mars të vitit të kaluar. Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 7,500 persona, shumica civilë, kanë humbur jetën në trazira.
XS
SM
MD
LG