Ndërlidhjet

logo-print

Pakoja tenderuese krijon monopol?


Korporatë në Kosovë, foto nga arkivi

Korporatë në Kosovë, foto nga arkivi


Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ditë më parë ka aprovuar pakon tenderuese për projektin “Kosova e Re”, pako kjo që parasheh ndërtimin e potencialeve të reja energjetike, koston e prodhimit, Qeveria të jetë aksionare në pjesën e minierave dhe gjenerimit, si dhe ruajtjen në nivel maksimal të ambientit dhe shëndetit të qytetarëve.

Por, disa organizata joqeveritare kundërshtojnë vendimin e Komitetit Drejtues të projektit “ Kosova e Re”, sidomos në pikat që kanë të bëjnë me përfshirjen në pako tenderuese të “Kosova B”, shitjen e 51 për qind të aksioneve në miniera dhe 69 për qind të aksioneve në gjenerim.

Organizatat që kundërshtojnë pakon janë: Instituti për Studime të Avancuara (GAP), Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Internews Kosova, DokuFest dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS).

Në emër të këtyre organizatave, Agron Demi, thotë se kjo pako është e papranueshme, jo transparente dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Për ne kjo ka qenë e papranueshme, sepse përfshirja e “Kosova B” dhe mundësia që iu është dhënë investitorit të ndërtojë TC “Kosova e Re” në një pako tenderuese, ka rrezik të krijojë monopol energjetik në vend, kur dihet se 97 për qind e burimit të energjisë vjen nga linjiti”, shprehet Demi.

Ethem Çeku, ish ministër i Energjisë dhe Minierave në kohën kur është hartuar strategjia për realizimin e këtij projekti, e quan pakon më të keqe tenderuese për Kosovën.

Sipas tij, kjo pako nuk shkon në favor të zhvillimit të sektorit energjetik dhe nuk siguron energji stabile.

Përmes kësaj pakoje vendoset monopol energjetik në Kosovë. Më këtë pako, eliminohet tërësisht sistemi i ekonomisë së lirë dhe konkurrencës në tregun e Kosovës. Dhe implikimet e saj, realisht në aspektin e tarifave, sigurt që do të jenë të mëdha”, shprehet Çeku .

Shqetësim tjetër lidhur me projektin “Kosova e Re”, sipas shoqërisë civile, mbetet kualiteti i kompanive që aktualisht janë në garë.

Agron Demi, konsideron se konsorciumet nuk janë kompetente për të ndërtuar një termocentral të tillë.

Konsorciumi Adani Power/PT Adani Global nga India dhe Indonezia, konsorciumi AES Electric lid/ Demir Export A.S nga SHBA-të dhe Turqia, Park Holding nga Turqia dhe konsorciumi PPC Contour Global LLP nga Greqia dhe Britania, janë ofertuesit e kualifikuar për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e re”

Nuk janë kompani të njohura ndërkombëtare. Është shqetësuese se interesimi për shumë vite, i kompanive evropiane, siç ka qenë CEZ, apo RVE AG, nga Gjermania, nuk kanë ngjallur më interesim, për shkak të ambientit jo të favorshëm të të bërit biznes”.

Kjo lë të kuptohet se kompanitë me më pak përvojë do të investojnë në Kosovë, të cilat janë kryesisht konsorciume turko- amerikane, apo vende tjera, dhe nuk kanë një përvojë dhe nuk do të arrijnë që të përfundojnë projektin, ashtu siç është proklamuar nga Qeveria”, thekson Demi.

Edhe Ethem Çeku, dyshon në aftësitë financiare dhe përvojave në sektorin energjetik të kompanive të parakualifikuara.

Kam frikë se këto konsorciume që janë në garë, nuk mund të nuk do të arrijnë të përfundojnë ashtu siç duhet ndërtimin e dy blloqeve nga 300 megavat. Edhe pse po i marrin 600 megavat të gatshme nga ‘Kosova B’", thotë Çeku.

Shoqëria civile, kërkon nga grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës, që të kërkojnë nga Qeveria suspendimin e procesit të privatizimit të mihjes dhe gjenerimit, si dhe të dërgojnë në Kuvend për aprovim strategjinë e rishikuar të energjisë, konform Ligjit për Energji.

Sidoqoftë, sipas pakos tenderuese, data kur priten ofertat është 30 shtatori 2012, ndërsa vitin tjetër parashihet të filloj realizimi i projektit “ Kosova e Re” më kapacitet prej 600 megavatesh.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG