Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Thirrje për tejkalim situate


Seanca e Komitetit për Marrëdhënie Ndëretnike në Parlamentin e Maqedonisë.

Seanca e Komitetit për Marrëdhënie Ndëretnike në Parlamentin e Maqedonisë.

Incidentet e fundit paraqesin kërcënim serioz për bashkëjetesën dhe nëse organet e drejtësisë nuk i zbardhin sa më parë të njëjtat, atëherë incidentet mund të dalin nga kontrolli duke kërcënuar në masë të madhe edhe stabilitetin e vendit, ishte ky qëndrimi i përbashkët i të gjithë anëtarëve të Komitetit për Marrëdhënie Ndëretnike në Parlamentin republikan.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, ka thënë se nga fillimi i këtij viti janë shënuar 25 incidente, në të cilat kanë qenë të involvuar kryesisht persona të mitur.

Numri një i dikasterit të policisë edhe të premten ka ripërsëritur qëndrimin se “nuk përjashtohet mundësia që në vend të veprojnë persona që dëshirojnë prishjen e marrëdhënieve ndëretnike”.

“Apelojmë te të gjitha autoritetet komunale dhe bartësit e institucioneve, të kontribuojnë me autoritetin e tyre që bashkërisht ta tejkalojmë këtë situatë të rëndë që çon kah përkeqësimi i raporteve ndëretnike”, ka thënë Jankullovska, duke theksuar se “gjatë ditës do të përfundojë procedura juridike për personat e dyshuar dhe të involvuar në incidentin e fundit dhe do të ngrihet kallëzimi penal pranë Prokurorisë Publike”, ku këto raste do të marrin epilogun.

Por, deputeti i PDSH-së, Orhan Ibrahimi, ka theksuar se fajtorët është lehtë për t’u gjetur, nëse për këtë çështje ka vullnet dhe moszbardhja e rasteve tregon qartë, është shprehur ai, se pushti ka dorë në nxitjen e problemeve.

“Nxitës kryesor i këtyre incidenteve dhe marrëdhënieve të acaruara ndëretnike është Qeveria, e cila nuk po tregon gatishmëri për zgjidhjen e këtyre problemeve. Këto raste nuk janë vetëm sot, po janë prezent tashmë 10 vjet; kemi mbi 200 raste të dhunës dhe vrasjeve, po ende asnjë rast nuk është ndriçuar. Janë me dhjetëra raste të tjera, të cilat procedohen në gjykatat e vendit, siç është rasti i Sopotit dhe nuk marrin epilog gjyqësor”, ka deklaruar deputeti Ibrahimi.

Ndërkaq, kryetarja e Komitetit për Marrëdhënie Ndëretnike, nga radhët e BDI-së, Ermira Mehmeti, ka theksuar se është koha për reagim urgjent dhe të pakompromis të institucioneve, të cilat, sipas saj, duhet të dëshmojnë në këtë sprovë për gatishmërinë e tyre për të kthyer paqen dhe sigurinë e qytetarëve.

“ Sot, sytë dhe veshët e çdo qytetari janë të drejtuar kah institucionet. Të gjithë presin se reagimi do të jetë i shpejtë dhe frytdhënës. Sot të gjithë kërkojnë që përgjegjësit të sillen para organeve të drejtësisë, në të kundërtën të gjithë ne rrezikojmë të futemi në një fazë ku kultura e pandëshkueshmërisë rrezikon të prodhojë cikle të pandalshme të kulturës së drejtësisë së ushtruar në rrugë. Dhe, akoma më keq, pa frikë nga reagimi i institucioneve”, ka theksuar deputetja Mehmeti.

Edhe diplomatët e huaj në Maqedoni të premten kanë dënuar incidentet me parapavijë ndëretnike. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shkup ka shprehur keqardhje për incidentet e ndodhura, njëherësh ka bërë thirrje që të moskeqpërdoren ato, në mënyrë që gjendja të shkojë drejt qetësimit.

Edhe shefi i misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Ralf Breth, ka theksuar se pret që autoritetet kompetente t’i hetojnë plotësisht këto incidente dhe se autorët të kapen sa më shpejt dhe të vihen para drejtësisë.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme ka urdhëruar që policia, nga mëngjesi të jetë e pranishme në çdo stacion autobusi në Shkup. Kjo masë vjen pas incidentit të rëndë që ndodhi para dy ditëve në Kisella Vodë, në autobusin e qytetit ku persona të maskuar sulmuan nxënësit shqiptarë. Pesëmbëdhjetë prej tyre përfunduan në spital, ndërsa tre nga ta vazhdojnë të mbahen ende për kurim nga plagët e rënda
XS
SM
MD
LG