Ndërlidhjet

Fusnota: Hapje dyersh apo probleme të reja?


Obelisku i Pavarësisë NEWBORN
Obelisku i Pavarësisë NEWBORN
Qeveria e Kosovës ka përgatitur regjistrin për aplikim dhe anëtarësim eventual në nisma dhe konferenca rajonale dhe evropiane.

Ambiciet e Qeverisë për anëtarësim në këto nisma, janë shtuar pas marrëveshjes së arritur në dialogun me Serbinë, e cila është pajtuar se nuk do ta kundërshtojë më përfaqësimin e Kosovës në nisma rajonale nëse ajo përdor fusnotën.

Zëvendësministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi, thotë se do të shqyrtohen prioritetet, dobitë, por edhe kostoja e përfshirjes në nisma të ndryshme, pasi që numri i tyre është tejet i madh.

Ibrahim Gashi
Ibrahim Gashi
“Pengesa kryesore për pranimin e Kosovës në organizata shumëpalëshe ka qenë kundërshtimi i Serbisë dhe meqë është gjetur moduli që Serbia dhe Kosova të ulen në të njëjtën tavolinë në nivelin rajonal, mendoj që kjo do të përdoret si formulë edhe në nivelet më të gjera të pjesëmarrjes në këta mekanizma shumëpalësh”, thotë Gashi.

Mirëpo, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni, thotë se fusnota e ka komplikuar edhe më shumë procesin e anëtarësimit të Kosovës në nisma dhe organizata ndërkombëtare.

“Fusnota nuk do ta ndihmojë Kosovën shumë që të anëtarësohet në çfarëdo organizma ndërkombëtarë. Vështirë që do të ketë anëtarësime, sepse mos harroni që gjithandej ku anëtare është Serbia dhe ku anëtarësimi bëhet mbi bazën e konsensusit, Kosova sërish do ta ketë shumë problem të anëtarësohet. Vështirësitë nuk kanë përfunduar me këtë, përkundrazi unë kam drojë që janë shtuar pengesat dhe është shtuar konfuzioni”, shprehet Hyseni.

Përveç pretendimeve për anëtarësim në OKB, BE, NATO dhe organizata tjera ku Kosova do të duhet të presë me vjet për kandidim, ndër pretendimet tjera pas shpalljes së pavarësisë kanë qenë kontrolli i hapësirës ajrore, pastaj marrja e kodit telefonik e deri te marrja e domenit të internetit apo edhe anëtarësimi në FIFA, UEFA, Komitetin Olimpik e tjera.

Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse fusnota mjafton për realizimin e pritjeve të tilla.

Zëvendësministri Ibrahim Gashi, thotë se sfida e parë do të jetë përfaqësimi i xhudistes kosovare Majlinda Kelmendi në Olimpiadën e sivjetme në Londër. Aktualisht, po shqyrtohen modalitetet, pasi që fusnota e privon Kosovën nga përdorimi i simboleve shtetërore, të cilat me gjasë nuk do të mund t’i përdorë as Majlinda edhe nëse aprovohet pjesëmarrja e saj në Olimpiadë.

“Nëse në parim pajtohen edhe ato shtete që nuk na kanë njohur dhe që janë pjesë e këtyre organizatave dhe asociacioneve ndërkombëtare, atëherë mundësia e pjesëmarrjes është ndoshta më e lehtësuar. Tash, sigurisht që test do të jetë pjesëmarrja e sportistëve kosovarë dhe po bëhet një punë që xhudistja Majlinda të marrë pjesë në Olimpiadë. Po diskutohen modalitetet se me çfarë flamuri do të merrte pjesë ajo. Do të thotë, në njëfarë mënyrë kjo marrëveshje i ka lëvizur të gjitha vendet që secila tash provon të gjejë një modus se si të përfaqësohet Kosova në të gjitha këto nisma”, sqaron Gashi.

Ndërkohë, Skënder Hyseni këshillon Qeverinë që në vend se ta paraqesë marrëveshjen për fusnotën si një fitore, të përpiqet t’i minimizojë pengesat dhe problemet shtesë, që, sipas tij, sjell ajo, pasi që në vete përmban edhe Rezolutën 12 44, e cila mes tjerash e parasheh Kosovën si një vend pa status të definuar dhe të administruar nga Kombet e Bashkuara.

Skënder Hyseni
Skënder Hyseni
“Për t’i fituar kodet dhe të gjitha që janë atribute të shtetësisë, me rikthimin në njëfarë mënyre në fuqi të Rezolutës 12 44, kësaj radhe me pëlqimin tonë, kam frikë që të gjitha këto janë komplikuar edhe më tej. Është koha e fundit që Qeveria e Kosovës të ndërtojë një strategji për t’i minimizuar pasojat që do të dalin nga kjo, sepse pasoja paevitueshëm që do të ketë”, thekson Hyseni.

Marrëveshja e arritur në dialogun me Serbinë për fusnotën që i vihet emrit të Kosovës gjatë prezantimit të saj në nisma rajonale, është prezantuar nga lidershipi kosovar si një e arritur, pasi që tash e tutje Kosova në këto nisma do të paraqitet dhe do të flasë vetë pa lejen dhe përfaqësimin e UNMIK-ut.

Fusnota paraqet një neutralitet ndaj statusit të Kosovës, pasi që aty përmenden Rezoluta 12 44, si kërkesë e Serbisë, dhe mendimi i GJND-së për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si kërkesë e palës kosovare.
XS
SM
MD
LG