Ndërlidhjet

SHBA kundër zgjedhjeve serbe në Kosovë


Filip Riker
Filip Riker
Në një konferencë për gazetarë në Uashington, zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Riker, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat euro-atlantike të rajonit dhe i vlerësojnë si pozitive zhvillimet e fundit, përfshirë dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë dhe hapjen e studimit të fizibilitetit për marrëveshjen e stabilizim-asociimit për Kosovën.

Riker ka thënë se në mesin e reformave që duhet t'i përmbushë Serbia është edhe vazhdimi i dialogut me Kosovën, duke theksuar se është koha për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Diplomati amerikan ka theksuar nevojën e lëvizjes së lirë për EULEX-in dhe KFOR-in në gjithë Kosovën, ndërsa është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në veriun e Kosovës.

“E kemi shprehur shumë qartë dhe OKB-ja e ka bërë gjithashtu të qartë se mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë, jo nën juridiksionin e Kosovës, do të nxirrte përfaqësues që nuk do të kishin autoritet”, transmeton VOA deklaratën e zotit Riker.

Ditë më parë, autoritetet ligjvënëse në Beograd kanë thënë se do të organizojnë zgjedhje edhe në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Një gjë e tillë kundërshtohet dhe nuk njihet si e ligjshme as nga autoritetet kosovare, as nga ato ndërkombëtare. (v.t.)
XS
SM
MD
LG