Ndërlidhjet

NYT: Fukushima mund të parandalohej


Gazetarët gjatë raportimit janë të pajisur me veshje kundër radioaktivitetit.

Gazetarët gjatë raportimit janë të pajisur me veshje kundër radioaktivitetit.

" New York Times "

Shkruajnë: Xhejms Ekton dhe Mark Hibs, bashkëpunëtorë të lartë të programit për politika bërthamore, pranë Institutit për Paqe Ndërkombëtare.


Më 11 mars të vitit 2011, cunami masiv ka dridhur rëndë reaktorin bërthamor të Japonisë, Fukushima Daiçi, duke shkaktuar aksidentin më të rëndë atomik, që nga Çernobili. Mbi 300,000 njerëz janë evakuuar, ndërsa toka përreth do të jetë e papërdorshme për dekada të tëra.

Një vit më vonë, po bëhet gjithnjë e më e qartë se incidenti i Fukushimës nuk ishte një “vepër e Zotit” apo një fat i keq i Japonisë. Rreziqet potenciale që shkaktojnë centralet e goditura nga cunami, janë të njohura, andaj edhe janë krijuar disa standarde ndërkombëtare për zbutjen e tyre.

Agjencia për Siguri Bërthamore dhe Industriale, që është rregullatori nuklear i Japonisë, nuk i ka zbatuar këto standarde. Ajo ka dështuar t’i rishikojë studimet e rreziqeve të cunamit, të kryera nga pronari i centralit, Tokyo Electric Power, i njohur si Tepco.

Tepco, po ashtu, ishte i pakujdesshëm. Ai ishte në dijeni për provat gjeologjike që tregonin se rajoni i reaktorit ishte përmbytur në mënyrë periodike, rreth një herë në njëmijë vjet. Në vitin 2008, Tepco ka kryer disa kalkulime kompjuterike që sugjeronin se përsëritja e tërmetit shkatërrues të vitit 869 do të çonte në cunami dhe rrjedhimisht në përmbytje të reaktorit.

Rreziku më i madh që cunami paraqet për centralet bërthamore është shkatërrimi i furnizuesve të tyre me energji elektrike. Pa energji, reaktori nuk mund të ftohet, andaj edhe nis rrjedhja e materialit radio-aktiv.

Kjo është pikërisht ajo çfarë ka ndodhur në Fukushima. Një ngjarje e ngjashme mund të ketë ndodhur edhe në Francë në dhjetor të 1999-s, kur është përmbytur centrali bërthamor Blayais.

Duke ditur rrezikun, vendet evropiane kanë ekzaminuar konstruksionet e tyre përballë kërcënimeve. Ato i kanë pajisur më pas reaktorët me më shumë furnizues të energjisë, për të përballuar më mirë gamën e rreziqeve ekstreme.

Tepco dhe siguria bërthamore e Japonisë kanë qenë të njohura me përvojën evropiane. Fukushima do të mbijetonte nëse ato do të ndiqni shembullin e Evropës dhe të përmirësonin konstruksionin e uzinës.

Me pak fjalë, sikur Tepco dhe Agjencia e Sigurisë Bërthamore të ndiqnin standardet ndërkombëtare, aksidenti i Fukushimës do të parandalohej.

Por, a kanë mësuar tashmë vendet e tjera me fuqi bërthamore nga gabimet e Japonisë? Që nga incidenti, industria bërthamore ka publikuar reaktorë me sisteme të përmirësuara të sigurisë, që mund të sigurojnë ftohje emergjente pa energji elektrike. Përderisa janë më të sigurt, reaktorët e rinj janë të mirëpritur, por çfarë do të ndodhë me 440 reaktorët e tjerë të botës?

Në Shtetet e Bashkuara, ku është e vendosur gati një e katërta e tyre, pronarët e termocentraleve, pas sulmeve të 11 Shtatorit, kujdesen ndaj akteve terroriste që do të mund të kishin në shënjestër centralet.

Është më pak e qartë nëse ata dhe rregullatori nuklear janë të fokusuar, në mënyrë të barabartë, edhe në konstruksionet e fuqishme të centraleve, që do t’i bënin ato më të fuqishme ndaj fatkeqësive natyrore.

Shtetet evropiane janë të njohura me një gjë të tillë; 124 reaktorë të tyre u janë nënshtruar “testeve të stresit”. Për më tepër, ato kanë identifikuar përmirësime të mëtejshme në mbrojtjen fizike të reaktorëve, të nevojshme për të parandaluar rreziqet e papritura. Vetëm Franca do të kërkojë nga 58 reaktorët e saj të bëjnë përmirësime që mund të kushtojnë 10 miliardë euro. Por, masa duhet të marrin të gjitha shtetet evropiane.(v.t.)
XS
SM
MD
LG