Ndërlidhjet

logo-print

Rexhepi: Të evitohet përdorimi i forcës


Policia e Kosovës

Policia e Kosovës

Faktori ndërkombëtar duhet të bëjë presion ndaj Serbisë që të mos i organizojë zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, në mënyrë që të shmanget nevoja e përdorimit të dhunës, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi.

Këtë deklaratë ministri Rexhepi e ka bërë të shtunën, pas takimit me ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili në Kosovë po qëndron për vizitë zyrtare.

Duke komentuar mundësinë e parandalimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, ministri Rexhepi ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të bëjë çmos që ato zgjedhje të mos mbahen, ndërkohë që, sipas tij, i takon bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë presion ndaj Serbisë, e cila i ka pranuar obligimet që dalin nga marrja e statusit të kandidatit për Bashkimin Evropian.

“Kjo i bie si një lloj tradhtie ( e Serbisë) ndaj obligimeve që ka marrë edhe me faktorin ndërkombëtarë. Ne insistojmë që ata ta bëjnë presionin maksimal, që institucionet tona të mos jenë të detyruara që të përdorin forcën ose dhunën. Natyrisht që, sidomos për zgjedhjet lokale, janë plotësisht të papranueshme dhe dëshirojmë që së bashku me KFOR-in dhe EULEX-in t’i koordinojmë veprimet tona. Nuk do të bëjmë veprime të njëanshme, por do të donim që presioni që do të bënte faktori ndërkombëtar ndaj Serbisë, të japë rezultate dhe të mos sfidohemi në atë drejtim”, ka thënë Rexhepi.

Lidhur me situatën, të cilën ua imponon institucioneve të Kosovës organizimi eventual i zgjedhjeve serbe në Kosovë, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka thënë se u takon vetë kosovarëve që të gjejnë mënyrën që të përballen me këtë situatë.

“Çdo vend e ka sovranitetin e vet dhe natyrisht që çështjet, të cilat kanë të bëjnë me problemet e brendshme të Kosovës, janë çështje që i takojnë Qeverisë së Kosovës, Parlamentit të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës. Nuk i takojnë për t’i gjykuar administratës dhe anëtarëve të Qeverisë së Shqipërisë”, është shprehur Nishani.

Të dy ministrat e brendshëm, i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, kanë nënshkruar protokollet e bashkëpunimit, të cilat kanë të bëjnë me patrullimin e përbashkët përgjatë kufirit ndërmjet dy vendeve.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria, përmes këtyre protokolleve të bashkëpunimit, po përpiqen që qytetarëve të dyja vendeve t’ju sigurojnë lëvizje të lirë.

“Pra, synimi ynë është që lëvizja e lirë e qytetarëve të jetë sa më e lehtë dhe në këtë drejtim janë edhe protokollet e bashkëpunimit, por edhe menaxhimi i integruar i kufirit dhe marrëveshjet që janë gjatë sezonin turistik, që në të ardhmen do të jenë edhe të përhershme”.

“Synojmë drejt një zone të lirë, si në Shengen, ku pastaj nuk do të ketë pengesa në kufijtë tanë, por drejt integrimeve evropiane. Në momentin që i arrijmë synimet tona, që të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian, natyrisht që këta kufij do të jenë vetëm në aspektin administrativ”,
ka theksuar Rexhepi.

Ndryshe, ministri Rexhepi ka hedhur poshtë pohimet e disa mediave vendore se në pikën kufitare në Jarinjë, më nuk ka asnjë polic dhe doganier të Kosovës. Ai ka theksuar se marrëveshja e 16 shtatorit të vitit të kaluar me EULEX-in dhe KFOR-in, për bartjen e policëve dhe doganierëve me helikopter, vazhdon të jetë në fuqi ende.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG