Ndërlidhjet

Në Maqedoni - të tjera sulme ndëretnike


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi

Kanë vazhduar edhe gjatë natës së kaluar incidentet ndëretnike në disa zona të Shkupit. Në parkun e qytetit policia ka raportuar për një sulm të kryer ndaj tre personave të mitur, dy prej të cilëve kanë përfunduar në spital. Sulmi është kryer me shufra hekuri dhe gjësende tjera të forta.

Policia njoftoi se po heton rastin, ndërsa bëri të ditur arrestimin e tre personave tjerë, të cilët rreth orës 1 pas mesnate kishin kryer një sulm ndaj një autobusi urban me udhëtarë në lagjen Çair të banuar me shqiptarë.

Ndërkohë, në lagjen Gjorçe Petrov janë demoluar disa dyqane të shqiptarëve kurse raportohet për djegien edhe të një ure prej druri në fshatin Llokë të banuar me shqiptarë.

Vala e këtillë e incidenteve ndëretnike pasoi rrahjen brutale të 15 nxënësve shqiptarë nga një grup i të rinjve maqedonas, të cilët tashmë edhe janë identifikuar nga ana e policisë.

Gordana Jankullovska
Gordana Jankullovska
“Ndaj 7 personave do të ngrihen padi penale për incidentin me nxënësit në autobusin urban. Dy prej tyre janë të rritur dhe 5 të mitur. Policia ka zbardhur edhe disa incidente tjera dhe ndaj gjithsej 28 personave, do të ngrihen padi penale”, ka deklaruar ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovksa,

Ndërsa, kryeministri Nikolla Gruevski, pas kthimit nga vizita zyrtare në Indi, në prononcimin e parë lidhur me incidentet është shprehur:

“Unë i dënoj këto incidente dhe u bëj thirrje të gjithë prindërve dhe profesorëve që të veprojnë në drejtim që njerëzit e rinj të kenë sjellje më të kuptueshme. Apelin e dytë dua t’ua bëj partive politike që të mos keqpërdorin rastin dhe mos të dalin me deklarata për nxitje të urrejtjes dhe në mënyrë indirekte t’i përkrahin disa struktura të të rinjve që energjinë e tyre negative e zbrazin në këtë mënyrë”.

Duke komentuar situatën e këtillë në Maqedoni, njohësit e zhvillimeve politike dhe të raporteve ndëretnike kanë thënë se incidentet janë pasojë se politizimit të skajshëm të shoqërisë, të paragjykimeve, barrierave gjuhësore, etnike, kulturore e kështu me radhë.

Petar Atanasov, sociolog dhe ekspert për marrëdhënie ndëretnike, ka vlerësuar se shumë gjëra në shoqëri kanë lëvizur nga vendi dhe nuk funksionojnë.
Komunikimi politik është i keq, mungojnë debatet, popullata është e ndarë, si në baza etnike, ashtu edhe në politike, shoqëria nuk ofron mundësi të barabarta.


“Institucionet apo sistemi ynë më shumë ofron probleme sesa i zgjidh ato. Komunikimi politik është i keq, mungojnë debatet, popullata është e ndarë, si në baza etnike, ashtu edhe në politike, shoqëria nuk ofron mundësi të barabarta. E gjithë kjo ka bërë që elementi etnik të jetë i theksuar dhe të mos ketë lojaliteti ndaj institucioneve, por ndaj grupeve të ndryshme etnike, apo liderëve etnike”, ka vlerësuar Atanasov.

Analisti Albert Musliu, u ka bërë thirrje institucioneve që të marrin masa serioze për parandalimin e akteve të dhunës pasi situata, sipas tij, shumë shpejt mund të dalë nga kontrolli.

“Unë mendoj se këto janë incidentet më shqetësuese për shkak të formës dhe mënyrës se si kanë ndodhur. Përgjegjësit e tyre duhet të gjenden dhe të përgjigjen për atë të kanë bërë dhe incidentet e këtilla të pengohen që në fillim, pasi nëse kjo vazhdon, do të kishte efekte të paparashikueshme”, është shprehur Musliu.

Ndërkohë, të gjitha mediat të shtunën kanë transmetuar një deklaratë të zëvendësndihmëssekretarit amerikan të shtetit, Filip Riker, i cili, në një takim me gazetarët e huaj në Uashington ka thënë se “ata që sulmojnë fëmijë, nxënës janë qyqarët më të mëdhenj”.

Riker u ka bërë thirrje palëve në Maqedoni të jenë të qetë në situatën e krijuar, ndërsa ndaj incidenteve të veprohet në përputhje me ligjin dhe institucionet të përcaktojnë faktet se çfarë ka ndodhur dhe të zbatojnë një proces të vërtetë ligjor.
XS
SM
MD
LG