Ndërlidhjet

Rusia dhe Liga Arabe afrojnë qëndrimet


Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka takuar homologët e Ligës Arabe në Kajro, për të diskutuar krizën në Siri. Lavrov u ka thënë diplomatëve arabë se Moska “nuk mbron asnjë regjim”.

Rusia, aleate për kohë të gjatë e Asadit, dhe Kina, muajin e kaluar i kanë vënë veto rezolutës së Kombeve të Bashkuara që i bën thirrje presidentit sirian të lërë pushtetin.

Në konferencën e përbashkët për gazetarë, Lavrov dhe kryeministri i Katarit, Sheik Hamad bin Jasim al-Thani, kanë njoftuar se kanë arritur marrëveshje në pesë pika.

Lavrov i ka prezantuar ato para mediave:

“Si rezultat, ne kemi arritur pozicion të përbashkët në pesë pika. Së pari, fund të dhunës, pavarësisht se cili është burimi. Së dyti, krijimi i një mekanizmi të pavarur monitorues. Së treti, jo ndërhyrje nga jashtë. Së katërti, sigurimi i papenguar i ndihmës humanitare për të gjithë sirianët. Së pesti, mbështetja jonë për misionin e Kofi Ananit, me qëllim fillimin e një dialogu politik ndërmjet qeverisë dhe të gjitha grupeve opozitare, në bazë të mandatit që ka miratuar Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe Liga Arabe”, ka thënë Lavrov.

Ai dhe al-Thani nuk kanë pranuar pyetje nga gazetarët.

Aktivistët e opozitës thonë se të paktën 16 rebelë kanë humbur jetën të shtunën në qytetin Idlib, ndërkohë që kryengritësit kanë vrarë 4 ushtarë dhe kapur 5 të tjerë.
XS
SM
MD
LG