Ndërlidhjet

Ndërtimi i Japonisë - një vit nga katastrofa




Steve Herman, korrespondent i VOA-së

Më 11 mars të vitit 2011, Japonia u godit nga tërmeti dhe cunami shkatërrues. Katastrofa shkaktoi rrjedhje radio-aktive në tre reaktorë të energjisë bërthamore në Fukushima.

Rrezatimi mbërtheu tokën më të vlefshme bujqësore të Japonisë, ku fermerët vazhdojnë të luftojnë pasojat. Autoritetet japoneze thonë se 81,000 hektarë tokë janë të kontaminuar në nivele më të larta se 5,000 bekuerel për kilogram.

Ky është limiti që ndalon Japoninë nga mbjellja e orizit. Të prekura janë edhe perimet, frutat dhe fermat e qumështit.

Joshi-içi Takeda është fermer në prefekturën e Fukushimës. Ai thotë se pasojat e 11 marsit kanë shkatërruar jetesën e tij.

“Fondet e ndihmës emergjente janë mezi të mjaftueshme për të mbijetuar. Qeveria nuk lejon që lopët e mia të kullosin dhe askush nuk tregon se kur do të dekontaminohet toka ime”, thotë Takeda.

Poshtë rrugës në Nihon-matsu, Aiko Saito bën përpjekje të kultivojë oriz, bizele, patate dhe rrepë.

“Askush nuk do ta blejë orizin tim apo perimet. Çmimet kanë rënë vërtet. Vitin e kaluar, nga bizelja mora vetëm gjysmën e asaj që marr zakonisht. Tani, as fëmijët e mi nuk duan të hanë atë që unë kultivoj”, thotë Saito.

Këtë javë, megjithatë, në Fukushima kanë arritur disa udhëzime për të shpëtuar industrinë bujqësore.

Qeveria japoneze ka ftuar shkencëtarë nga jashtë, me përvojë në dekontaminimin e tokës bujqësore. Ata kanë zhvilluar takime me homologët e tyre japonezë dhe zyrtarët lokalë, në një simpozium në Korijama.

Drejtori i Institutit Kërkimor të Radiologjisë në Bjellorusi, Viktar Averin, thotë se dëshiron të ndajë njohuritë e fituara nga incidenti bërthamor i Çernobilit, në vitin 1986, në ish-Bashkimin Sovjetik.

Tërmeti masiv dhe cunami në Japoni
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:25 0:00

“Dua të theksoj se është e rëndësishme që përvoja e Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë të përdoret nga ju - mbi të gjitha, për njerëzit që kanë qëndruar apo që kthehen në këtë zonë, në mënyrë që të jetojnë të sigurt dhe frytet e punës së tyre të sjellin përfitime ekonomike”, thotë Averin.

Rudolf Aleks-akhin, nga Akademia Ruse e Shkencave, thotë se janë dashur afro 20 vjet për të reduktuar ndotjen e tokës në nivele të sigurta, pas shpërthimit në Çernobil.

Aleks-akhin thotë se, duke marrë parasysh numrin e madh të zonave të ndotura në Evropën Lindore, ka qenë e pamundur që absorbuesit të përdoreshin në mënyrë efektive. Por, për Fukushimën, me një sipërfaqe më të vogël - të rëndësishme për bujqësinë japoneze - ai thotë se këto metoda do të jenë efektive.

Një zyrtar i lartë i Qendrës për Shkencë dhe Teknologji në Ukrainë, Viktor Korsun, thotë se incidenti në Japoni ka dëshmuar se leksionet e Çernobilit nuk janë mësuar si duhet. Sipas tij, reaktorët bërthamorë është dashur t’iu nënshtrohen kontrolleve më të rrepta, ashtu si edhe masave më të mira mbrojtëse.

“Qeniet njerëzore vazhdojnë të jenë në rrezik të madh. Ne duhet të bëjmë që puna jonë të jetë jetike për të ardhmen e njerëzimit”, thotë Korsun.

Ministria japoneze e Mjedisit, muajin e ardhshëm, pritet të nisë programin për dekontaminim. Por, një gjë e tillë do të shtrojë një dilemë të re: Ku të vendoset toka e larguar radio-aktive?!

Atje ndodhet një akumulim i madh i hirit radio-aktiv dhe një sasi e madhe e mbeturinave, e shkaktuar nga tërmeti 9-shkallësh dhe cunami që e pasoi. Banorët e zonave të tjera luftojnë kundër rilokalizimit të mbeturinave në mesin e tyre.

Kjo ka bërë që Ministria e Mjedisit të lansojë fushatën kombëtare me sloganin: “Përpjekjet e secilit janë të nevojshme për asgjësimin e mbeturinave”.

Deri më tash, mesazhi nuk duket të ketë gjetur një audiencë të dëgjueshme. (v.t.)
XS
SM
MD
LG