Ndërlidhjet

Serbët bllokojnë sërish EULEX-in


Jarinë(Foto arkiv)
Jarinë(Foto arkiv)
Disa automjete të EULEX-it janë penguar nga serbët e Zveçanit për të shkuar në vendkalimin kufitar Jarinë, të shtunën në mbrëmje, në vendin e quajtur Dolani.

Sipas mediave serbe, kolona e automjeteve të EULEX-it më pas është kthyer në drejtim të Zubin Potokut, përkatësisht në fshatin Jagnjenicë.

Burimet e njëjta kanë cituar përfaqësuesit e serbëve të Zveçanit të kenë thënë se janë marrë vesh me përfaqësuesit e KFOR-it dhe të EULEX-it, që deri kah mesi i javës që vjen, të lejohet "qarkullimi i përfaqësuesve të EULEX-it vetëm me nga 3 automjete në ditë dhe që në to të mos ndodhen doganierë kosovarë".

Arsyeja e bllokimit, sipas tyre, është se EULEX-i ka pasur më shumë se kaq automjete, të cilat kanë qarkulluar në drejtim të Jarinës.

Ky bllokim i lëvizjes së lirë të misionit evropian është i katërti me radhë vetëm në ditët e fundit.

Të mërkurën e ardhshme, sipas mediave serbe, duhet të mbahet mbledhja e rregullt e përfaqësuesve të serbëve lokalë dhe të misioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Serbët kanë shkaktuar pengesa të qarkullimit të lirë në veri që nga korriku i vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka organizuar aksionin për shtrirjen e autoritetit të saj edhe në këtë pjesë të vendit.(v.t.)
XS
SM
MD
LG