Ndërlidhjet

Ushtari amerikan vret 16 civilë afganë


Pas sulmeve të ushtarit amerikan, 11 mars 2012, Kandahar.
Pas sulmeve të ushtarit amerikan, 11 mars 2012, Kandahar.
Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, ka dënuar vrasjen e të paktën 16 civilëve afganë nga një ushtar i Shteteve të Bashkuara. Ai ka thënë se vrasjet janë “të qëllimshme” dhe ka kërkuar shpjegim nga NATO-ja.

Ushtari i paidentifikuar amerikan, që raportohet të jetë rreshter stafi, ka dalë jashtë bazës së tij në Kandahar dhe ka shtënë drejt shtëpive të afganëve në fshatin Panjvai.

Ministria e Brendshme afgane ka thënë se, “është thellësisht e tronditur dhe e pikëlluar me vrasjet dhe plagosjen e civilëve të pafajshëm nga duart e forcave të koalicionit”.

“Ne i dënojmë të shtënat në termat më të fuqishëm. Ato do të hetohen plotësisht”
, ka thënë zëdhënësi i kësaj ministrie, Sedik Sediki.

Forca Ndërkombëtare e Sigurisë (ISAF) tha se ka arrestuar një ushtar “në lidhje me incidentin që ka shkaktuar viktima afgane në provincën Kandahar”, duke mos saktësuar numrin e të vrarëve apo të të plagosurve.

NATO-ja ka kërkuar falje për të shtënat e së dielës.

“Dua të shpreh keqardhjen time të thellë për veprimet e ndërmarra, me sa duket nga një anëtar i koalicionit në Kandahar”, thuhet në deklaratën e gjeneralit Adrian Brandshou, që është zëvendëskomandant i forcës së NATO-s në Afganistan.

“Njëri nga ushtarët tanë raportohet të ketë vrarë dhe plagosur një numër civilësh në fshatrat pranë bazës së tij. Nuk mund ta shpjegoj motivin që ka qëndruar prapa këtyre akteve, porse, në asnjë mënyrë, ato nuk ishin pjesë e aktiviteteve të autorizuara nga ISAF-i”, ka thënë Brandshou.

Disa zyrtarë ushtarakë u kanë thënë privatisht mediave se ushtari më pas u është dorëzuar autoriteteve në bazën e tij.

Po sipas disa mediave, ushtari mund të ketë vuajtur nga sulmi nervor.

Banorët lokalë janë tubuar pranë bazës ushtarake për të protestuar kundër vrasjeve.

Vrasjet e civilëve të kryera nga forcat ndërkombëtare, që luftojnë kryengritësit talibanë, kanë qenë burim i fërkimeve të shpeshta ndërmjet Qeverisë afgane dhe aleatëve të saj perëndimorë.

Vrasjet e së dielës vijnë vetëm pak javë pas djegies së Kuranit në një bazë ushtarake të SHBA-së në Afganistan. Incidenti kishte shkaktuar protesta të dhunshme në vend dhe kishte nxitur kërkim-faljen e presidentit amerikan, Barak Obama.(v.t.)
XS
SM
MD
LG