Ndërlidhjet

Sarkozi kërcënohet me dalje nga Shengeni


Nikolas Sarkozi
Nikolas Sarkozi

Presidenti i Francës, Nikollas Sarkozi, gjatë një fjalimi në një lagje të Parisit, tha se ai do ta tërheqë vendin e tij nga zona Shengen, brenda së cilës lëvizet pa viza, nëse Bashkimi Evropian nuk bënë progres në bllokimin e imigrimit ilegal.

Sarkozi, që aktualisht po bën fushatë për zgjedhjet presidenciale, u tha mbështetësve në një tubim, se imigrimi i pakontrolluar do t’i shkatërrojë përpjekjet evropiane për integrimin e atyre njerëzve, që hyjnë në këtë kontinent dhe do t’i pengojë rrjetet e mbrojtjes sociale për personat, që kjo përkujdesje u duhet.

Ne nuk mund të pranojmë të jemi subjekt i mangësive të kufijve të jashtëm të Evropës”, tha Sarkozi, duke shtuar se reforma e legjislacionit aktual të imigrimit e BE-së, është “e vetmja mënyrë për shmangien” e këtij problemi në Evropë.

Më tutje, ai theksoi:

Marrëveshja Shengen tashmë nuk na lejon që t’i përgjigjemi seriozitetit të situatës. Asaj i duhet rishqyrtimi. Ne duhet ta reformojmë Shengenin në mënyrë strukturore, ashtu siç vepruam për euron. Ne nuk mund të lejojmë menaxhimin e hyrjes së imigrantëve në duart e teknokratëve dhe gjykatave”, tha Sarkozi.

Zoti Sarkozi theksoi se “nëse ne shohim se gjatë 12 muajve të ardhshëm nuk ka progres serioz në këtë drejtim, atëherë Franca do ta suspendojë pjesëmarrjen në marrëveshjet e Shengenit”.

Imigrimi është shndërruar në njërën nga çështjet kryesore në zgjedhjet presidenciale të Francës. Vetëm para disa ditësh, presidenti Sarkozi theksoi se Franca ka shumë të jashtëm.

Ai, po ashtu, ka kërkuar që Evropa të ketë fushata që bëjnë thirrje për blerjen e prodhimeve evropiane, ashtu siç bëhet në Shtetet e Bashkuara.

Përse Evropa duhet ta ndalë vetveten që ta bëjë atë që e bëjnë Shtetet e Bashkuara, vendi me tregun më të lirë në botë”, e ka shtruar pyetjen Sarkozi.

Ai tha se Franca do ta fillojë fushatën “Blej Aktin Francez”, e bazuar në atë “Blej Aktin Amerikan”.

Mbështetësi i presidentit Sarkozi, Bernard Shrepfer, tha se pajtohet me idetë e tij:

Ai ka të drejtë. Ai e thotë të vërtetën ashtu siç është. Mendoj se qëndrimi i tij për Evropën është qasje shumë e mirë”, tha Shrepfer.

Mbështetësi tjetër, Vinsent Pol-Pëtit, vlerësoi se Sarkozi është njeriu që “realisht i duhet Francës”.

Ne jemi këtu sepse mendojmë se ai ka gjasë dhe se populli i Francës do të vetëdijesohet për rëndësinë që të ketë president, që është i aftë për ta udhëhequr Francës gjatë viteve të ardhshme”, tha Pol-Pëtit.

Më 22 prill, në zgjedhjet presidenciale në Francë, zoti Sarkozi ballafaqohet me kandidatin e socialistëve, Fransua Hollande.

Hulumtimet e opinionit tregojnë se nëse Sarkozi dhe Hollande, kalojnë në rundin e dytë, ashtu siç parashikojnë shumë vetë, atëherë Hollande do ta mundë lehtë presidentin aktual. (f. b.)
XS
SM
MD
LG