Ndërlidhjet

IHT: Fundi i iluzioneve të Japonisë


Japoni...

Japoni...

“ International Herald Tribune”

Njëmbëdhjetë marsi i vitit 2011 ishte një moment transformues për popullin e Japonisë. Ai nuk shkatërroi vetëm mitin publik të sigurisë absolute, që ishte ushqyer nga industria e energjisë bërthamore.

Ai shkatërroi edhe imazhin e Japonisë si një popull i sigurt, që u rrit nga pacifizmi i vendit prej Luftës së Dytë Botërore.

Sipas saj, fatkeqësia sinjalizoi fundin e periudhës së gjatë të pas-luftës. Në orët e hershme të 15 marsit, kryeministri Naoto Kan i kërkoi kompanisë “Tokio Electric Power” të mos braktisë operacionet në centralin Fukushima Daiçi. Ai u kërkoi punëtorëve civilë të Tepco-s të qëndrojnë, duke thënë se “qëndrueshmëria e Japonisë si komb është në rrezik”.

Ishte një mesazh, i bërë ndoshta pa dashje, të cilin pasardhësit e zotit Kan nuk kanë pasur guxim ta përcjellin e të thonë: Jini të gatshëm të vdisni për vendin tuaj!

Me këtë këshillë, zoti Kan ka zhdukur ndarjen e madhe, e cila ka ekzistuar kohë të gjatë ndërmjet ushtrisë dhe politikës në Japoni. Ai ka bërë thirrje për mobilizim masiv të ushtrisë japoneze, përkatësisht Forcave Vetëmbrojtëse, duke angazhuar trupat në operacionet e ftohjes së reaktorëve.

“Nuk ka ekzistuar kurrë koha, kur ushtria dhe politika kanë qenë kaq afër”, ka thënë edhe vetë komandanti i operacioneve tokësore të Forcave Vetëmbrojtëse, gjenerali Eiji Kimizuka.

Në retrospektivë, e gjithë kjo mund të ketë ndodhur shumë vonë. Gjendja në terren ishte e përkeqësuar. Ushtria do të duhej të mobilizohej shumë më herët në “zonën e luftës” në Fukushima.

Nën dozën e madhe të pasigurisë që rrethonte aksidentin, udhëheqësia e Japonisë ishte e përgatitur në heshtje për më të keqën. Raporti i përgatitur nga kryetari i Komisionit për Energji Atomike të Japonisë, Shunsuke Kondo, parashikonte skenarin më të tmerrshëm, që fliste për evakuimin e 30 milionë banorëve nga zona metropolitane e Tokios.

Kjo ishte hera e parë që Qeveria japoneze bënte një planifikim të tillë emergjence. Megjithatë, evakuimi masiv ishte i panevojshëm.

Japonezët janë krenuar kohë të gjatë me të qenët shoqëri që ofron mbrojtje dhe siguri. Zyrtarët kanë theksuar sigurinë në doza të vogla dhe në proces mund të kenë sakrifikuar pa dashje sigurinë e kombit në përgjithësi. Po, përse do të nxitej ankth i panevojshëm kur të papriturat e tilla si tërmeti apo cunami janë thjesht të paimagjinueshme?!

Megjithatë, pakujdesia u shndërrua në jopërgatitje. Programi kombëtar për zhvillimin e robotëve për emergjenca bërthamore ishte ndërprerë dhe Japonia, gjoja fuqia më e madhe robotike, nuk kishte asnjë për të dërguar në Fukushima në orët kritike.

Ngjashëm, edhe Komisioni për Siguri Bërthamore i Japonisë kishte përcaktuar në udhëzimet e tij se nuk ishte i nevojshëm shqyrtimi i potencialit për humbje të gjatë të energjisë. Por, pikërisht humbja e energjisë i kishte kontribuar rrjedhjes radio-aktive nga objektet e Fukushimës.

Menjëherë pas sulmeve të 11 Shtatorit, Komisioni Rregullativ i SHBA-së për Energji Bërthamore miratoi rregulla të reja për t’iu bërë ballë sulmeve të mundshme terroriste në ndonjërin nga centralet bërthamore. Ato përfshinin udhëzime dhe strategji të gjithanshme “për të mbajtur ose rikthyer ftohjen e reaktorëve”.

Pavarësisht thirrjeve të autoriteteve amerikane dhe udhëzimeve zyrtare të vitit 2006 dhe 2008, agjencitë bërthamore të Japonisë kanë dështuar të zbatojnë masat përkatëse parandaluese, sepse, natyrisht, ato nuk kanë menduar se dështimi i energjisë do të bëhej një kërcënim i pashmangshëm.

Dhe kështu, fatkeqësia solli në pah mangësinë e vizionit për një shtet me siguri kombëtare. (v.t.)
XS
SM
MD
LG